KE miraton MSA-në me Kosovën, nënshkrimi pritet në qershor

Bruksel

Komisioni Evropian ka miratuar sot, me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Me këtë hap, KE ka përmbyllur procedurën e vet, e cila tani do t’i kalojë Këshillit, gjegjësisht shteteve anëtare për të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes.

Pasi Këshilli, me pajtimin e të gjitha 28 shteteve anëtare, të marrë vendimin, pritet që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ta nënshkruajë marrëveshjen në emër të BE-së, ndërsa në emër të Kosovës, i takon vetë Qeverisë së saj që të caktojë se kush do të jetë nënshkrues.

Burime të BE-së thonë se marrëveshja ka karakter evropian, që do të thotë se nuk ka nevojë të nënshkruhet nga të gjitha shtetet anëtare, por në emër të BE-së e nënshkruan përfaqësuesja e lartë.

Në këtë mënyrë edhe janë evituar bllokadat që do të mund t’i bënin kësaj marrëveshjeje shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Po ashtu thuhet se teksti i kësaj marrëveshjeje e bën të qartë se Bashkimi Evropian mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë qëndrimin e shteteve anëtare ndaj statusit.

Në anën tjetër, Marrëveshja për Stabilizim-Asociim konsiderohet si kyçe në raportet e Kosovës me BE-në, si për bashkëpunimin politik, ashtu edhe për shkëmbimin tregtar.

Sipas BE-së, synohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet gjatë verës, përkatësisht muajit qershor, ndërsa hyrja në fuqi e saj parashihet për fillimin e vitit që vjen.

Në Kosovë, marrëveshja duhet të ratfikohet nga Kuvendi.