Imunizimi në Kosovë, rrëfim suksesi

"Imunizimi i fëmijëve është një nga tregimet më të suksesshme në shëndetësinë kosovare", u tha sot në fillimin e Javës Botërore të Imunizimit, që shënohet me aktivitete të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP).

Këto organizata theksuan progresin e arritur në Kosovë në sigurimin e të drejtës së fëmijëve për një jetë të shëndetshme përmes imunizimit, por edhe boshllëqet e mbetura për të siguruar që të gjithë fëmijët e Kosovës të mbulohen nga Programi Kombëtar i Imunizimit.

Tema e javës të imunizimit për këtë vit është: "Mbyllja e boshllëkut të imunizimit", e cila synon të ri-fokusojë vëmendjen e publikut mbi rëndësinë e vaksinimit për të gjithë fëmijët.

Sipas të dhënave zyrtare, në mbarë botën, imunizimi kursen 2-3 milionë fëmijë çdo vit nga sëmundjet vdekjeprurëse të fëmijërisë si fruthi, diarreja dhe pneumonia.

"Java Botërore e Imunizimit në Kosovë synon që përmes aktiviteteve të organizuara të rrisë vetëdijesimin për imunizimi, e rrjedhimisht edhe përmirësimin e statusit shëndetësor të fëmijëve në Kosovë, që është prioritet kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP-së, UNICEF-it e OBSH, me qëllimin që të parandalohen parandalohet rishfaqjen e sëmundjeve ngjitëse të cilat shkaktojnë sëmundje, paaftësi dhe vdekje, dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë një mundësi të barabartë për një të ardhme të shëndoshë", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.