Rreth 1.9 miliard euro, jashtë Kosovës

Ilustrim

Kosova vazhdimisht kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse vetë institucionet e Kosovës kanë rreth 1.9 miliard euro, të cilat mbahen në tregjet financiare ndërkombëtare.

Rreth 1. 2 miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Këto investime janë të shtrira në 61 shtete të botës, apo në afër 2000 emetues botërorë.

Në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, Jeton Demi, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka thënë se vlera më e madhe e mjeteve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të Madhe, Francë , Kosovë, Gjermani, Japoni dhe Kanada.

Kurse, Fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej rreth 700 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të RepublikësKosovës, e prej aty investohen në tregjet e jashtme.

Nga ky fond parashihet të kompensohen kredituesit potencialë tëndërmarrjeve shoqërore.

Sidoqoftë, mos-futja e mjeteve të Trustit dhe të Fondit të Privatizimit në tregun kosovar, është kritikuar shumë herë nga ekspertë për çështje ekonomike.

Ismail Kastrati, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mjetet që mbahen të ngrira jashtë territorit të Kosovës duhet të trajtohen në forma të veçanta.

“Trusti i Pensioneve është kursimi i qytetarëve të Kosovës që një pjesë të pagave të tyre e ndajnë për të siguruar një pleqëri të rehatshme. Kurse, Fondi i Privatizimit është diçka krejt tjetër. Prandaj, ky fond nuk mund të shfrytëzohet para se të shpërbëhet AKP-ja apo para se të zgjidhen të gjitha kërkesat pronësore - kredituese apo juridike”, thotë Kastrati.

Edhe Naim Gashi, profesor i ekonomisë, thekson se shfrytëzimi eventual i mjeteve të Trustit është proces më i ndjeshëm, Por Fondin e Privatizimit,thotë ai, gradualisht Qeveria, me pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të mendojë që ato mjete t’i kthejë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Mbajtja e Fondit të Privatizimit jashtë Kosovës mendoj se është e paarsyeshme, sepse pas mbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, tashmë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës i kanë duart e lira që të menaxhojnë me ato fonde”, thekson Gashi.

Kastrati, ndërkaq, konsideron se me këto mjete, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një bankë investuese, në mënyrë që ta ndihmojë sektorin privat.

“Do të ishte mirë, që me këto mjete, Qeveria të krijojë një fond investimi ose një bankë investuese, me të cilën do të stimulohej investimi, zhvillimi i ekonomisë rurale, agrobizneset në përgjithësi dhe stimulimi i eksporteve përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkatësisht stimulimit të vetë eksportit”, konsideron Kastrati.

Por, Naim Gashi thotë se autoritetet kompetente duhet të marrin praktika nga Britania e Madhe për lejimin e linjave kreditore për sektorë të caktuar ekonomikë me kamata 2 deri në 3 për qind.

“Këtë punë do ta kryenin bankat komerciale, mirëpo shteti nuk do të krijonte përfitime nga to, vetëm do të bënte kthimin e atyre mjeteve dhe riinvestimin e tyre për zhvillim ekonomik. Ndërsa, kamata për 2 ose 3 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorin e bujqësisë ose përpunimit të produkteve ushqimore do të përdorej vetëm në rast të rrezikut nëse ndonjë nga bizneset mund të falimentojë dhe eventualisht nëpërmes asaj kamate, të mbuloheshin humbjet e atij fondi”, shpjegon Gashi.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve Pensionale, tashmë kanë deklaruar se kthimi, apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve, nuk mund të bëhet për shkak të pengesave ligjore.