Jeta sekrete e Mullah Omarit

Mullah Omar

Mullah Mohammad Omar ka udhëhequr talibanët afganë për afro dy dekada, por për të është ditur pak.

Ka qenë befasi e rrallë kur talibanët, papritur, kanë publikuar këtë javë biografinë e Omarit, për të shënuar 19-vjetorin e udhëheqjes së tij.

I publikuar në pesë gjuhë në një ueb-faqe të talibanëve, më 5 prill, dokumenti prej 5,000 fjalësh përshkruan në detaje aktivitetet e Omarit, madje edhe familjen e tij dhe jetën e tij personale.

Ai po ashtu tenton të qartësojë faktet e diskutueshme rreth Omarit, i cili nuk është paraqitur në publik që nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Afganistan më 2001, si dhe të zhdukë thashethemet për eleminimin e tij.

Analistët thonë se koha e publikimit sugjeron se grupi po bën përpjekje t’i kundërvihet ndikimit të grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) brenda radhëve kryengritëse.

Talibanët kanë parë vazhdimisht dezertime te Shteti Islamik gjatë muajve të fundit. Disa militantë madje kanë shprehur zhgënjimin e tyre me heshtjen e Mullah Omarit përballë konkurrencës.

Talibanët thonë se biografia është publikuar për të parandaluar “propagandën e rreme nga një numër i shkrimtarëve të rremë, analistë dhe qarqe të njëanshme”.

Talibanët kanë lëshuar deklarata më shkrim, që thuhet se janë bërë nga Mullah Omar. Por, disa vjet pa ndonjë video apo audio-incizim të tij kanë rritur spekulimet se lideri taliban mund të jetë i sëmurë rëndë ose i vdekur.

Biogafia thekson se Mullah Omar “është ende lider në hierarkinë aktuale të Emiratit Islamik të Afganistanit”. Kështu është quajtur Afganistani gjatë sundimit të talibanëve, në periudhën 1996-2001.

Dokumenti thotë se Mullah Omar “informohet çdo ditë me ngjarjet në vendin e tij, si dhe në botën e jashtme”.

Edhe pse “gjurmohet rregullisht nga ana e armikut”, nuk ka asnjë ndryshim madhor në punën rutinore të Mullah Mohammad Omarit në organizimin e aktiviteteve xhihadiste si lider i Emiratit Islamik, thuhet në dokument.

“Ai ndjek dhe inspekton aktivitetet kundër pushtuesve të huaj brutalë dhe pa fe”, thekson dokumenti.

Omar ka pak fotografi. Vendndodhja e tij mbetet e panjohur, por besohet se udhëheq kryengritjen e talibanëve afganë nga Pakistani fqinj.

Departamenti amerikan i Shtetit, i cili ka ofruar 10 milionë dollarë për kokën e Omarit, e përshkruan atë si mashkull të gjatë, me një plagë në sy.

Në pjesën për personalitetin e tij, biografia thotë se Mullah Omar është i qetë dhe nuk e humb durimin apo guximin e tij.

Dokumenti thotë se ai është “i dashur dhe ka sens të veçantë të humorit, pasi ai kurrë nuk e konsideron veten superior ndaj kolegëve të tij”.

Po ashtu thuhet se Mullah Omar nuk ka shtëpi të tijën dhe as llogari bankare, as brenda vendit, as jashtë dhe as me ndonjë emër tjetër.

Në biografi thuhet se Mullah Omar ka lindur në vitin 1960 në fshatin Chah-i-Himmat të provincës Kandahar.

Ai është nga klani Tomzi i fisit Hotak. Babai i tij Moulavi Ghulam Nabi, “një figurë e respektuar”, ka vdekur kur Omar ka qenë pesë vjeç. Familja më pas është zhvendosur në provincën Uruzgan.

Biografia po ashtu thotë se Omar ka ndjekur medresenë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai është analfabet.

Pasi Bashkimi Sovjetik ka pushtuar Afganistanin më 1979, ai ka lënë shkollën dhe është bërë xhihadist “për të kryer detyrimin e tij fetar”. Ai është plagosur katër herë dhe ka humbur syrin e djathtë.

Mullah Omarit i është dhënë titulli “Amir-ul-Momineen”, ose lider i besimtarëve, më 1996, duke u bërë kështu udhëheqësi suprem i talibanëve.

Biografia nuk përmend ndonjë aleancë të talibanëve me ish-liderin e Al Kaidës, Osama bin Laden. Mbështetja e Mullah Omarit për liderin terrorist ka çuar në pushtimin e Afganistanit nga SHBA-ja më 2001.

Biografia pohon se talibanët kontrollojnë 95 për qind të Afganistanit. Ajo thotë se Mullah Omar vazhdon të mbikëqyrë këshillin e lidershipit të talibanëve, gjyqësorin dhe nëntë komisione ekzekutive, ashtu si edhe komandantët ushtarakë që veprojnë në 34 provincat e Afganistanit.

Përgatiti: Valona Tela