Intelektualët perëndimorë të alarmuar me dëbimet ruse

Viza ruse

Së paku katër intelektualë perëndimorë në Rusi janë dëbuar, janë dënuar ose janë kërcënuar gjatë vitit të kaluar për shkak të dyshimeve për shkelje të rregullave të vizave.

Këto veprime i kanë demoralizuar shumë akademikë amerikanë dhe evropianë, avancimi në karrierën e të cilëve shpeshherë varet nga qasja në arkivat e Rusisë.

Gjyqtari rus dënon dhe dëbon

Oficerët me rroba civile e kanë gjetur një studiues në arkivin shtetëror, i zhytur në lexim të teksteve të shekullit të 19-të për jetën provinciale në Rusi. Ata kërkuan që ta zhvillojnë një takim në korridor.

Çështje kontestuese ishte viza turistike e studiuesit perëndimor. Duke studiuar dokumente historike në arkiv, në njërin nga rajonet e Rusisë, intelektuali i ka shkelur rregullat e vizës, kanë thënë oficerët nga Shërbimi Federal i Migracionit në Rusi.

Brenda disa orëve, një gjyqtar ka marrë vendim për gjobitje dhe dëbim të studiuesit nga perëndimi, duke thënë se shkelja përbën rrezik për shoqërinë ruse, thuhet në dokumentet gjyqësore, që janë parë nga Radio Evropa e Lirë.

Studiuesi perëndimor është laguar nga Rusia pas dy ditësh, i befasuar pa masë me rrethanat e dëbimit.

“Ata asnjëherë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të mia se çfarë dokumentesh më duhen”, i tha ky studiues Radios Evropa e Lirë, në kushte të anonimitetit për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Ky është njëri nga disa rastet gjatë vitit të kaluar, që i ka prekur akademikët perëndimorë, të shqetësuar se Rusia ndoshta po e shton presionin burokratik kundër studiuesve perëndimorë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, intervistave me studiuesit dhe informatave publike në dispozicion, gjatë 12 muajve, së paku katër studiues perëndimorë janë gjobitur e dëbuar, ose janë kërcënuar me këto masa, derisa ata kryenin kërkime shkencore në Rusi, për shkak të dyshimeve për shkelje të regjimit të vizave.

Në dy prej këtyre rasteve, përfshirë edhe atë studiuesin e dëbuar që ka folur për Radion Evropa e Lirë, individët kanë thënë se janë përzënë nga arkivat shtetërorë nga ana e zyrtarëve të migracionit rus.

Më shumë kontroll ndaj intelektualëve perëndimorë

“Duket se me të vërtetë ka shumë më tepër kontroll ndaj intelektualëve dhe studentëve të jashtëm lidhur me statusin e vizave”, thotë një studiues i dytë, i cili mëtutje i tha Radios Evropa e Lirë, se zyrtarët në Siberi i janë kërcënuar atij me dëbim, vitin e kaluar, për shkak të dyshimeve se ka dështuar ta regjistrojë në mënyrë përkatëse vizën e tij. Ai këtë akuzë e përgënjeshtron.

Megjithatë mbetet e paqartë se nëse këto incidente janë anomali ose pjesë e një goditjeje të koordinuar më të gjërë.

Disa intelektualë, vlerësojnë se zyrtarët lokalë thjeshtë mund të përpiqen t’i shtojnë kredencialet e tyre duke e ashpërsuar kontrollin ndaj perëndimorëve, në këtë vend, në periudhën kur janë përkeqësuar shumë lidhjet ndërmjet Rusisë dhe perëndimit për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Incidente të izoluara

Will Stevens, zëdhënës i Ambasadës amerikane në Moskë, i tha Radios Evropa e Lirë se “i kemi parë disa raporte të akademikëve perëndimorë, që ballafaqohen me kontrolle të shtuara dhe pengesa brenda Rusisë”.

Ai ka shtuar se “deri tash, duket se incidentet janë të izoluara dhe sikur paraqesin një pakicë të vogël të numrit të madh të intelektualëve perëndimorë, që udhëtojnë dhe studiojnë në Rusi”.

Por, shqetësimi është i prekshëm në mesin e intelektualëve që specializojnë në Rusi dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ambasada e Rusisë në Uashington, nuk i është përgjigjur imejlave të shumtë për koment, ndërsa disa thirrje në zyrën për shtyp, po ashtu, kanë mbetur papërgjigje.

Kjo nuk parashihet me ligj

Arch Getty, është profesor i historisë së Rusisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA). Lidhur me çështjen e vizave ai thotë:

“Nuk ka asgjë në ligj, sa e di unë, që thotë se turisti me vizë turistike nuk mund të shkoj në arkiv dhe të kërkoj t’i sheh dokumentet. Rregullat me të cilat rregullohet qeverisja e arkivave e specifikojnë vetëm atë që shtetasi rus ose shetasi i jashtëm, kanë të drejtë të shkojnë dhe të pyesin për t’i parë dokumentet. Pra, sa e di unë, nuk ekzistojnë baza të shkruara se duhet të kihet lloj i caktuar i vizës për të kryer punë arkivore ose punë tjetër kërkimore”, thotë profesor Getty.

Ai shprehet se këto gjëra janë të reja dhe asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për kërkesa të tilla për viza.

Sam Greene, është drejtor i Institutit për Rusinë në Kolegjin Mbretëror në Londër. Ai shprehet se duket se Rusia po i ashpërson rregullat.

“Duket sikur ata po i ashpërsojnë rregullat, por nuk duket se ata po imponojnë ndonjë rregull të re. Ata po i forcojnë rregullat e vjetra, që asnjëherë nuk i kanë bërë më parë”, thotë Sam Greene.

Përgatiti: Fatmir Bujupi