Qeveria e Kosovës njofton se sot pasdite është arritur marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Me këtë rast ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se “arritja e kësaj marrëveshjeje mes tre palëve; Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur sot pasdite ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur 'Mbrojtja civile' dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës".
"Procesi i bisedimeve ka qenë gjatë dhe i mundimshëm për gati dy vjet, ndërsa në periudhën e fundit shkurt-mars të këtij viti negociatat janë zhvilluar në mënyrë bilaterale, mes BE-së dhe të dy shteteve dhe fundi ishte i suksesshëm, rezultoi me marrëveshje të nënshkruar nga tre palët", ka thënë Tahiri.
Ajo shtoi se marrëveshja në fjalë parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit.
"Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, tha ministrja Tahiri.