Specializantët kërkojnë paga

Specializantët gjatë protestës

Para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, të enjtën kanë protestuar mjekët specializantë, duke kërkuar nga kjo e fundit, që specializimet e tyre të paguhen në formë page.

Ndryshe, specializantët janë të ndarë në tri kategori, A, B dhe C.

Kategoria A paguhet nga Ministria e Shëndetësisë për studimet e tyre specialistike, për aq sa e kanë të paraparë programin specialistik. Kjo kategori është zgjedhur me performanca më të suksesshme, gjatë testimit të tyre.

Por, jo edhe kategoria B dhe C paguhen në formë page nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, kategoria B e mjekëve, janë në koordinim me spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe kategoria C, kategori e mjekëve që i financojnë spitalet private, e që më pastaj mjekët punojnë në po ato institucione shëndetësore private.

E këta të fundit, flasin për Radion Evropa e Lirë se çka në fakt po kërkojnë.

Blin Nagavci, mjek në specializim për sëmundje infektive, jep mendimin e tij pse duhet paguar kjo kategori e shoqërisë.

"Kosova është vendi që ka më së paku mjek për kokë banori në Ballkan. Sot neve na ikin pacientët, por edhe mjekët. Pacientët trajtohen në vendet fqinje e edhe mjekët ikin në vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të politikave të gabuara të Ministrisë së Shëndetësisë".

"Kjo dëmton shumë sistemin shëndetësor, por edhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Mjekët që sot po protestojnë, punojnë prej orës 8 në mëngjes në spitalet rajonale, apo ne QKUK dhe më pastaj në mjekësinë familjare si specializantë deri në orën 9 të mbrëmjes".

Zoti Nagavci thotë se po "që se politikat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ndryshojnë në të mirë të mjekëve, atëherë detyrimisht do të obligohen të kërkojnë punë jashtë Kosovës".

"Unë kam kryer studimet post diplomike në Universitetin e Roterdamit në kërkime shkencore dhe realisht unë kam ofertë pune që të punoj në atë vend, por dëshira ime është që të kontribuoj në vendin tim, të jem afër familjes time. Por, nëse nuk krijohen kushte, unë detyrimisht jam i obliguar të kërkojë kushte më të mira jashtë vendit", ka shtuat Nagavci.

Por, Lulzim Uka, zyrtar për informim në Ministrinë e Shnëdetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo e fundit nuk ka buxhet të ndarë që t'i paguan specializantët.

"Ministri i Shëndetësisë është takuar dy herë me specializantë dhe u ka treguar që është e pa mundur tu paguhet specializimi për shkak të mungesës së buxhetit. Specializantët kanë të drejtë të protestojnë, por mundësitë e Ministrisë së Shëndetësisë janë këto", ka shtuar Uka.

Ndërkaq, për çështjen e pagesës së specializantëve, flet edhe Berat Krasniqi, mjek specialist.

"Kërkesa e protestës tonë është që të realizohen pagat për specializantët. Në vitin 2014, ministria ka ndarë specializime të shumta që pjesa më e madhe janë me vetë financim. Kjo paraqet një ngarkesë të madhe".

"Mjekët gjatë periudhës së specializimit ballafaqohen me kushte financiare të vështira. Takimi me ministrin e Shëndetësisë, ka rezultuar me atë se kjo e fundit nuk ka buxhet. Por, ne do të vazhdojmë me protesta deri në arritjen e qëllimeve tona", thekson Krasniqi.

Sidoqoftë, në dy vitet e fundit janë ndarë mbi 500 specializime, çka do të thotë se është rritur dukshëm numri i mjekëve të cilëve iu është lejuar të specializojnë, krahasuar me vitet paraprake.