Jeta e varfër e pensionistëve në Kosovë

Jeta e varfër e pensionistëve në Kosovë

Një ambient me kushte jo të mira, ndriçim jo të mjaftueshëm dhe hapësira të vogla dukej një qendër e pensionistëve në Prishtinë, ku këta të fundit e kalojnë shumicën e kohës.

Në këto hapësira, ata e kalojnë kohën duke luajtur shah, domino apo duke lexuar edhe shtypin ditor.

Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar biseda me disa prej këtyre pensionistëve për rubrikën “Fokus”.

Kur pyeten për jetën e tyre, thonë se ndihen të lënë anash dhe të diskriminuar nga shteti, për të cilin kanë kontribuar për 40 vjet.

Pensionet e pensionistëve kontribut-dhënës në Kosovë, janë jo më shumë se 140 euro në muaj, derisa për pensionistët e moshës nga 75 euro në muaj. Kjo shumë e parave del të jetë e pamjaftueshme për ta.

Në Kosovë llogaritet të jenë mbi 113 mijë pensionistë.

Pensionisti Adem Berisha, i cili kishte punuar si avokat, është vizitor i rregullt i kësaj qendre.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë përditshmërinë e pensionistit.

“Është jetë e varfër. Dita fillon me lojëra shahu, domino dhe pothuajse edhe aty mbaron. Kjo është ajo, në këtë ambient që nuk është në nivelin e duhur, e ku mungon thuajse gjithçka. Është një jetë e varfër dhe e cila nuk premton. Hapat që po ndërmerren nga autoritetet e Kosovës nuk janë shpresëdhënës”, thotë Berisha.

Një ambient më i qetë ishte te femrat pensioniste. Aktivitetet që i zhvillojnë në këtë qendër, thonë ato, janë shumë të mira.

Shoqëria që ato e kanë krijuar në këtë qendër iu mundëson atyre që të kalojnë një ditë të qetë.

Ganimete Dobruna, pensioniste, thotë se ndihet mirë kur vjen në këtë qendër:

“Në orën 11 vij këtu, e kalojmë jetën shumë mirë, kemi shoqet e mira, na çojnë në ekskursione në Shqipëri në Ohër në vendet turistike në Kosovë. Shumë mirë për neve; sikur të mos ishte ky vend, nuk di se çfarë kishim bërë tërë ditën në shtëpi”.

Megjithatë, ato nuk janë të kënaqura me përkujdesjen që bën shteti për pensionistët.

Shkurije Rexha thotë se ndihen të lënë anash nga institucionet e Kosovës.

“75 euro pension - çfarë përkujdesje është kjo?! Me ato para nuk arrin t’i blesh as barnat. Ne jemi të vjetër dhe natyrisht që vuajmë nga ndonjë sëmundje. Ato para janë të pamjaftueshme. Na ndihmojnë fëmijët se përndryshe nuk do t’ia arrinim t’ia dalim me ato para”, shton Rexha.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shuma e ulët e pensioneve ka bërë që ata të ndihen të nënçmuar dhe denigruar nga pushteti.

“Më së pari këto 140 euro që i marrin nuk janë pension dhe nuk i pranojmë si pension, për faktin se 75 euro i marrim për shkak të moshës që i kemi bërë 65 euro, ndërsa 65 euro i marrim pension. Askund në botë nuk ka pension 65 euro. Qeveria e Kosovës duhet t’i kthehet kësaj moshe dhe ta zgjidhë problemin e tyre”, thekson Kajtazi.

Gjendjes së vështirë ekonomike dhe sociale të pensionistëve në Kosovë i ka paraprirë edhe marrja e Fondit Pensional në mënyrë antiligjore nga shteti i Serbisë, në vitin 1999.

Vlerësimet e bëra nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, flasin për mbi 1 miliardë euro borxh të Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës.

Pensionistët e Kosovës që i takojnë atij sistemi pensional janë munduar shumë herë që në mënyrë individuale t’i kthejnë ato mjete, mirëpo, deri më tani, një gjë e tillë nuk ka sjellë rezultat.

Pensionisti Adem Berisha tregon se për 15 vjet radhazi pensionistët kanë kërkuar që autoritetet vendore të bëjnë presion mbi Beogradin zyrtar, që t'i kthejë kontributet e tyre.

“Ne jemi në një situatë duke pritur, ky detyrim për pagimin e pensioneve të pensionistëve të para-luftës është obligim i shtetit serb, pasi që ata, para luftës kishin obligime për ne, por që ishte rasti i luftës dhe ata iu shmangën këtyre detyrimeve dhe ne jemi tash në pritje. Kjo çështje ka mbetur pezull dhe kërkon zgjidhje nga shteti i Serbisë dhe shteti i Kosovës”, shton Berisha.

Autoritetet kosovare, deri më tani nuk kanë marrë ndonjë hapë konkret për kthimin e fondit pensional nga Serbia. Ata kishin theksuar vazhdimisht së kjo është një çështje, e cila vështirë se do të mund të zgjidhet mes Beogradit dhe Prishtinës.