Shqipëri: Nis punën Këshilli i Mandateve për rastin "Doshi"

Kuvendi i Shqipërisë

Këshilli i Mandateve e Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë, ka nisur punën për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku.

Ky këshill ka në përbërje 9 deputetë dhe kryesohet nga Ilir Meta, i cili nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje. Në mungesë të tij, Këshillin e ka drejtuar nënkryetari i Kuvendit Vangjel Dule. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ndërkohë, përpara nisjes së mbledhjes, nënkryetari i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha se “ne mbështesim punën e Prokurorisë, por kryetari i Kuvendit duhet të japë dorëheqjen “.

Këshilli i Mandateve ka për detyrë të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë, të dëgjojë dy deputetët, e më pas të hartojë një raport, i cili do të shqyrtohet në seancën më të afërt plenare.

Raporti i Këshillit të Mandateve duhet hartuar jo më vonë se 4 javë.

Nëse brenda kësaj kohe nuk ka një autorizim nga Kuvendi, atëherë kërkesa e Prokurorisë rrëzohet dhe dy deputetët vazhdojnë normalisht jetën e tyre parlamentare.

Të dy deputetët, Doshi e Frroku, akuzohen se kanë inskenuar së bashku me Durim Bamin, planin e vrasjes së deputetit Tom Doshi.

Nëse akuza e Prokurorisë provohet, atëherë dy deputetët rrezikojnë nga 1 deri në 4 vjet heqje lirie.

Në faqen e vet në internet Kuvendi ka publikuar grupin e ri të miqësise SHBA - Shqipëri, prej të cilit grup janë larguar gjashtë deputetë nga Partia Socialiste dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Deputetët e larguar të Partisë Socialiste janë: Tom Doshi, Mark Frroku, Pjerin Ndreu. Ndërsa, ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë: Gjovalin Kadeli, Luan Luzha dhe Shkëlqim Selami.

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim qeverisin së bashku.

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit.

Në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, ndër të tjera thuhet "se kjo është një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin".

Deputeti Tom Doshi ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale duke e quajtur këtë një vendim politik. Ai pretendon se Prokuroria nuk ka marrë në shqyrtim të gjitha provat e dorëzuara prej tij.

Prej 17 ditësh çështja Doshi është në vëmendje të opinionit publik shqiptar, kurse për zbardhjen e saj në Prokurori kanë deponuar krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe figura të rëndësishme të jetës politike.

Deputeti Tom Doshi pretendon se Durim Bami ka dashur ta vrasë atë dhe deputetin Mëhill Fufi kundrejt një pagese prej 500 mijë eurosh.Sipas versionit të Tom Doshit, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ëshët porositësi i vrasjes së dy deputetëve.

Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë thotë se po vazhdon hetimet.