Deputetët e Kuvendit të Kosovës llogaritet se kanë paga të mira dhe të ardhura solide shtesë, të cilat ua garantojnë ligjet dhe rregullorja e punës.
Statistikat zyrtare flasin se Kosova, si shteti më i ri në Evropë vazhdon të ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë, por edhe me nivel të ulët të pagës minimale dhe mesatare.
Megjithatë, nga kjo gjendje duket se nuk vuajnë të përzgjedhurit me votat e elektoratit të Kosovës që përfaqësohen në Kuvend.
Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore mbi 1,500 euro në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.
Përderisa pagat mujore në Kosovë për shtresat tjera të popullsisë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro.
Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës se Kosovës, thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt të tij.
Vendimin për lartësinë e të ardhurave mujore dhe të kompensimeve shtesë e merr Kryesia e Kuvendit në bazë të propozimit të Komisionit për Buxhet e Financa.
Ky “luks” i deputetëve në një vend të varfër, është kundërshtuar disa herë nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Sipas tyre, pagesat ekstra të larta tejkalojnë dukshëm potencialin dhe fuqinë e buxhetit të Kosovës.
Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thonë se paga e deputetit është pesëfish mbi rrogën mesatare në Kosovë, dhe së bashku me disa shtesa tjera financiare, si mëditjet për seanca dhe komisione, arrin deri në mbi 2,000 euro.
Jetmir Bakija, nga kjo organizatë, thotë se përveç të drejtave shtesë sa ushtrojnë funksionin e deputetit, shqetësues është fakti se ata kanë dashurbenificione edhe pas përfundimit të mandatit si deputet.
“Për seanca është një mëditje mujore 200 euro dhe nëse nuk janë prezent në seancë, iu tërhiqet nga një shumë; 200 euro për pjesëmarrje në komisione. Mëditjet për udhëtimet jashtë vendit varet sa udhëton, si komision, ato shpenzime nuk bëhen transparente”.
“Kuvendi i Kosovës tregon shumën e përgjithshme për mëditje për një vit dhe jo në mënyrë individuale. Për ata deputetë që nuk jetojnë në Prishtinë, mjetet iu rimbursohen edhe për derivate. Anëtarët e Kryesisë normal që kanë makinën e Kuvendit dhe shoferin”, bën të ditur Bakija.
Kurse, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se niveli i pagave dhe të ardhurave shtesë është shumë i lartë dhe ka hapësirë për reduktime, qoftë për pagat apo edhe për përfitime tjera.
Ai vlerëson se paga mujore e një deputeti arrin sa paga vjetore e një të punësuari në sektorin privat.
“Sa i përket shpenzimeve të tjera aty duhet bërë reduktime bukur të ashpra, meqenëse po e përmendi vetëm që për një udhëtim në Shqipëri deputetët marrin 210 euro, 210 euro për një ditë është e tepërt duke pasur parasysh se sa është kostoja, sa janë shpenzimet, pasi 210 euro paraqet afër 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë. Prandaj, hapësira është shumë e madhe që të gjitha shpenzimet të reduktohen dhe pagat të lidhen me nivelin e pagës mesatare në Kosovë”, konsideron Rexhepi.
Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Financave tregojnë se tashmë janë duke punuar një Ligj të veçantë për pagat, ligj i cili do të aplikohet për të gjithë të punësuarit që paguhen nga buxheti i Kosovës.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç këtij ligji, do të rishikohen edhe të ardhurat shtesë të punëtorëve në sektorin publik.
“Puna e dytë do të rishikohen të gjitha kompensimet shtesë dhe do të bëhet një rregullore e veçantë. Mbi bazën e asaj rregulloreje edhe deputetët, edhe të gjithë ata që marrin paga nga buxheti, do të kenë të njëjtin trajtim. Skema është paga minimale dhe maksimale dhe aty do të shohim se ku do të kategorizohen të gjitha kategoritë”, bën të ditur Krasniqi.
Përderisa deputetët në Kuvendin e Kosovës marrin mbi 1,500 euro pagë në muaj, pa përfshirë benificionet tjera, paga mesatare për punëtorët në sektorin publik është 441 euro në muaj, kurse në sektorin privat 228 euro në muaj.