Kosovës i duhet një Republikë e tretë që do të ndërtohet mbi socialdemokracinë, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Këto komente, ai i ka bërë gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol në Prishtinë.
Sipas Kurtit, dy Republikat e deritashme, ajo e para luftës dhe Republika aktuale nuk kanë sjellë zhvillim, por kanë krijuar vetëm ndarje në mes të qytetarëve dhe komunave.
Për 15 vjet, ka theksuar Kurti, populli i Kosovës i provoi qeveritë e djathta dhe tash po detyrohet të ikë nga vendi ose të protestojë kundër Qeverisë.
"Duhet provuar socialdemokracia, duhet provuar një Qeveri e majtë. Republika e tretë bëhet përmes socialdemokracisë”, ka theksuar Kurti.
"Zhvillimi duhet të bëhet kryefjala e kursit të ri shtetëror. Përderisa kjo nuk ndodhë, ne do të vazhdojmë të jetojmë në këtë Republikën e dytë në të cilën ekonomia është e dominuar prej privatizimeve dhe nepotizmit. Republikën e tretë ne e shohim si Republikë për zhvillim dhe të njëjtën kohë e shohim si Republikë në të cilën definohen disa parime të reja. Duhet t'i kthehemi vetvetes në kuptimin e zhvillimit dhe sovranizimit", ka deklaruar ai.
Varfëria dhe papunësia në Kosovë, ka vijuar Kurti, janë pasojë e orientimit dhe modelit të gabuar ekonomik.
Ai ka folur edhe për dialogun në nivelin e lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian.
Ky dialog, sipas Kurtit, nuk po sjell rezultate, por po i thellon ndarjet e brendshme në Kosovë.
Andaj, në vend të këtij modeli të dialogut me Serbinë, Kurti ka theksuar se duhet të vendoset një dialog ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve lokal.
"Ne kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës për zhvillim të përgjithshëm me barazi për secilin, dialog që është i hapur e demokratik e jo i mbyllur e diplomatik sikurse ai në Bruksel me Serbinë".
"Dialogu aktual është dialog prej lartë, me marrëveshje që do të dështojnë këtu poshtë. Ne mund të flasim me serbët e Kosovës edhe për shtetin e Serbisë, mirëpo ne nuk duhet të flasim me shtetin e Serbisë për serbët e Kosovës", ka thënë Kurti.
Në këtë debat Albin Kurti ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës që pritet të procedohet javët e ardhshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq lidhur me shqetësimet e shprehura nga krerët e partive të koalicionit qeverisës se nëse këtë gjykatë nuk e themelon Kuvendi i Kosovës atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Kurti ka thënë se këto nuk qëndrojnë, pasi që sipas tij, Këshilli i Sigurimit nuk do të merret me formimin e kësaj gjykate.