Avramopoulos premton liberalizimin pasi të luftohet korrupsioni dhe ndalet migrimi

Dimitris Avramopoulos

Dita për shpallen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk është e largët, ka thënë sot në Prishtinë, komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos.

Sipas tij, megjithatë, Kosova duhet të shënojë disa përparime të ndjeshme në luftimin e korrupsionit dhe migrimit të paligjshëm, para se të marrë datën e liberalizimit.

Këto komente, komisioneri i Bashkimit Evropian i ka bërë pas një takimi të përbashkët që zhvilloi me ministrin e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni dhe atë të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

“Vetëm me rezultate të vërteta, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në profilet e larta dhe me ndërmarrjen e masave për parandalimin e krizave aktuale të migrimit të paligjshëm do të më mundësonte mua personalisht që në emër të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian t'i njoftoj qytetarët e Kosovës se mund të lëvizin pa viza", ka thënë Avramopoulos.

Ai ka shfaqur besimin se Qeveria e Kosovës do t'ia dalë që t'i përmbushë obligimet dhe reformat në mënyrë që të marrë edhe datën e shumëpritur për liberalizim të vizave.

"Jam shumë optimist për marrëdhëniet tona në të ardhmen dhe nuk është e largët dita kur do të jemi në gjendje që ta shpallim datën e liberalizimit të vizave”, ka thënë Avramopoulos.

Tutje, ai ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që t'i kushtojë prioritet sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës, në mënyrë që në Kosovë të ketë një perspektivë më të mirë për jetesë.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka ritheksuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është shumë i nevojshëm.

“Liberalizmi i hershëm, sa më i shpejtë i vizave për kosovarët është një rrethanë lehtësues dhe do të ndihmonte shumë edhe në aspektet tjera të plotësimit të kushteve për integrim”, ka theksuar Hyseni.

Ai ka potencuar se Kosova nuk duhet të mbetët më vendi i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave.

"Ne u pajtuam po ashtu që Kosova duhet ti plotësoj të gjitha kriteret dhe Kosova është afër plotësimit të gjitha kritereve", ka deklaruar Hyseni.

Ndërkaq ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku është përqendruar edhe në prioritet e Kosovës rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA-së).

Kjo Marrëveshje me gjasë po pritet të nënshkruhet sivjet, por fuqizimi i saj, sipas zyrtarëve evropianë do të zgjasë për një kohë më të gjatë.

"Mbetem optimist që fundi i këtij viti do të sjellë patjetër mesazhe e vendime pozitive për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Mbetemi të përkushtuar që bashkërisht me Komisionin Evropian të vazhdojmë të punojmë me seriozitet ashtu siç kemi punuar deri më tani që bashkërisht t'i përmbyllim këto dy procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës", ka thënë Çollaku.

Komisionerin evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos e ka pritur në një takim edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Sipas një komunikate me shkrim, Jahjaga ka theksuar se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit.

Sa i përket çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve anëtare të BE-së, presidentja Jahjaga, thuhet se e ka njoftuar komisionerin Avramopoulos për angazhimet konkrete të institucioneve për ndërprerjen e kësaj dukurie.

Avramopoulos është pritur në një takim të veçantë edhe nga kryeministri, Isa Mustafa.

Sipas një njoftimi me shkrim, thuhet se Mustafa ka potencuar sidomos angazhimin e Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, duke shprehur nevojën e liberalizimit të vizave për kosovarët.