BE godet Sirinë me sanksione të reja

Bruksel

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione shtesë kundër Sirisë, pasi konflikti i përgjakshëm është përkeqësuar dhe nuk duket se ka perspektivë për marrëveshje të paqes.

“Shtatë persona dhe gjashtë subjekte që i kanë ofruar ndihmë regjimit sirian dhe kanë përfituar nga ai, janë goditur (me sanksione)”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“Këta çojnë në 218 numrin e personave dhe 69 numrin e subjekteve të sanksionuara nga BE-ja, për shkak të represionit kundër popullatës civile në Siri”, thekson më tej deklarata.

Bashkimi Evropian do të publikojë emrat e individëve dhe subjekteve në Gazetën Zyrtare të shtunën.

Mbi 220,000 njerëz besohet se kanë vdekur në Siri, prejse ka shpërthyer kryengritja kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011.