Në "betejë" me armët pa leje

Në vitin 2010, në Kosovë është miratuar një ligj mbi posedimin e armëve, konform konventave të ndryshme evropiane rreth përdorimit të armëve të zjarrit, thonë autoritetet e rendit.

Vetëm gjatë vitit 2015, kanë vdekur dy persona si pasojë e vrasjes me armë, derisa për tentim vrasje janë raportuar 23 raste.

Ndërkaq në vitin 2014, kanë vdekur 39 persona si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, derisa 165 raste të tentim vrasjes janë lajmëruar tek autoritetet e rendit.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti, në muajin janar dhe shkurt, janë konfiskuar 114 armë të llojeve të ndryshme, derisa në vitin 2014 janë konfiskuar 1328 armë pa leje, nga duart e qytetarëve.

"Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore, apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi, e në këtë kontekst edhe reduktimin, zvogëlimin e armëve ilegale që mund të jenë si rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e përgjithshme".

"Rastet kur policia identifikon persona apo individë që posedojnë armë ilegale, i trajton ata në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore siç janë paraparë me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës".

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, është organizatë që merret prej vitesh me ndërgjegjësimin e popullatës, rreth rrezikut të armëve pa leje, si dhe shkatërrimin e këtyre armëve pas konfiskimit nga autoritet e rendit.

Burbuqe Dobranja, zyrtare për çështje të informimit publik në UNDP, ka bërë të ditur se janë shkatërruar shumë armë pa leje, falë programit ‘ Iniciativa për kontroll të armëve të vogla në Kosovë’’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

"Çështja e armëve të vogla ilegale mbetet shqetësim. Projekti iniciativa për kontroll të armëve të vogla në Kosovë, siç njihet me emrin "KOZAK", gjatë vitit të kaluar dhe në fund të vitit 2013, ka shkatërruar një numër të madh të armëve që kanë qenë në duart e qytetarëve.

Vetëm në tetor të vitit 2013, KOZAK së bashku me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ka shkatërruar 1325 armë të vogla dhe të lehta.

Më 9 korrik të vitit 2014, në ditën ndërkombëtare të shkatërrimit të armëve janë shkatërruar 779 armë të tjera, derisa me 2 dhjetor të vitit 2014 janë shkatërruar më shumë se 2800 armë që janë konfiskuar nga ana e policisë së Kosovës".

Zonja Dobranja thotë se përveç armëve, është shkatërruar edhe një sasi e konsiderueshme e plumbave.

"Në nëntor të vitit 2014 së bashku me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë shkatërruar më shumë se gjysmë tonelate plumba apo 29 mijë plumba të të gjitha kalibrave që janë konfiskuar nga policia, atëherë kur edhe janë konfiskuar armët".

Destan Mustafa, ushtrues detyre i udhëheqësit të divizionit për armë municion dhe eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se ligji aktual nuk lejon asnjë qytetar të Republikës së Kosovës të pajiset me armë, pa leje.

Në Kosovë gjithsej janë 350 persona që kanë armë me leje, të cilët këto leje i kanë trashëguar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

"Në Republikën e Kosovës janë dy arsye për blerjen e armëve, për shenjtari dhe gjueti. Me ligjin aktual janë vetëm këto dy mundësi. Kërkesa për aplikim janë rreth 5 mijë, derisa të aprovuara janë rreth 3800 për posedim".

"Armëmbajtje me leje janë rreth 350, të trashëguara nga UNMIK-u. Por, ligji aktual nuk e lejon armëmbajtjen. Vendosin organet e sigurisë në bazë të një rregulloreje, aty vendoset mbi bazën e vlerësimeve se a ka nevojë të pajiset personi me armë, apo t'i ofrohet mbrojtje policore".

Ndryshe, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se posedimi i armëve është i përhapur më shumë në zonat rurale e ato kufitare.