Njeriu që rriti Putinin

Anatoly Sobchak

Pak udhëheqës komunalë janë vlerësuar për ndryshimin e rrugës së historisë. Anatoly Sobchak, kryebashkiaku i ndjerë reformist i kryeqytetit verior të Rusisë dhe mentor politik i Vladimir Putinit, ka qenë ndryshe.

Sobchak është bërë i rëndësishëm si zë karizmatik i prestrojkës, si kryetar që ka hequr qafe emrin sovjetik të qytetit të tij Leningrad dhe ka nxitur reformat demokratike.

Por, 15 vjet pas vdekjes së tij, ai më shumë kujtohet si përkrahës i hershëm i Putinit, të cilin Sobchak dikur e ka vlerësuar si “njeri që vërtet mendon për shtetin, jo për interesat apo nevojat e tij”.

E veja e Sobchakut, Lyudmila Narusova, ka analizuar vlerësimet optimiste të burrit të saj për Putinin, i cili, si president, ka përmbysur reformat demokratike në favor të autokracisë. Pavarësisht nga dyshimet rreth presidencës së Putinit, ajo thotë se karakterizimi nga Sobchak mbetet i saktë në thelb.

“Është patjetër e vërtetë, në kuptimin që Vladimir Putin është një person, i cili beson se i është dhënë një mision i veçantë, se është burrështetas. Ai vërtet mendon se i kupton interesat e shteteve dhe i zbaton ato në përputhje me rrethanat. Por, siç ka thënë Voltaire, ‘pushteti të degjeneron dhe pushteti absolut të degjeneron absolutisht’. Pesëmbëdhjetë vjet janë kohë e gjatë”, thotë Narusova.

Rrethanat e vdekjes së Sobachakut mbeten të errëta. Pasi ka humbur përpjekjet për të shërbyer në mandatin e dytë si kryetar i Shën Petersburgut, ai është larguar nga Rusia në vitin 1997, për shkak të akuzave për korrupsion.

Pas dy vjetësh në Francë, ai është kthyer në shtëpi, për të shprehur mbështetje për Putinin, i cili do të garonte për president në zgjedhjet e marsit 2000.

Gjatë një fushate në enklavën perëndimore të Rusisë, Kaliningrad, më 19 shkurt të vitit 2000, Sobchak, 62 vjeç, ka vdekur në dhomën e hotelit, me sa dukej nga sulmi në zemër.

Por, disa raporte të mediave më vonë kanë thënë se ai është helmuar. Dyshimet janë rritur edhe më shumë kur dy agjentë të KGB-së, që kanë udhëtuar me Sobchakun, janë qëlluar për vdekje.

Narusova, e cila është fotografuar në funeralin e burrit të saj e ulur midis Putinit dhe vajzës së saj, Ksenia, ka thënë në atë kohë se “nuk është ende koha” të tregohet e vërteta për vdekjen e Sobchakut.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ajo vazhdon të ngurrojë të flasë për vdekjen e burrit të saj, duke thënë se dëshmia e vërtetë e vdekjes së tij është duke u mbajtur në një “vend të sigurt”.

Narusova, historiane dhe ish-deputete e Këshillit të Federatës, thotë se burri i saj – avokat dhe ithtar i zjarrtë i lustrimit post-sovjetik – ka paraqitur kërcënim për aleatët e tjerë të Putinit, që kanë ardhur nga radhët e KGB-së.

“Ata e kanë kuptuar se ndikimi i tij mbi presidentin e ardhshëm ka qenë shumë i madh, jo për shkak të parave apo interesave të biznesit, por për shkak të interesit të tij në sundimin e ligjit”, thotë Narusova.

“E kujtoni se si në vitet e para të presidencës së tij, Putin ka folur gjithmonë për ‘diktaturë të ligjit’ dhe për një ‘vend të sunduar nga ligji’? Por, kjo ka ndodhur vetëm në vitet e para të mandatit të tij të parë. Çfarë shohim sot? Lëndë penale që hapen kundër opozitës politike”, thotë Narusova.

Por, Narusova thotë se ndryshimi i klimës politike në Rusi ka bindur atë dhe vajzën e saj që të publikojnë një punë të papërfunduar të Sobchakut për Josef Stalinin dhe rolin e shoqërisë sovjetike në lulëzimin e totalitarizmit.

Narusova thotë se libri shkon përtej një padie të thjeshtë ndaj diktatorit sovjetik.

“Pa marrë parasysh se sa i ashpër mund të duket, ai jep një verdikt kundër të gjithë neve – njerëzve që kanë krijuar kultin e personalitetit duke lavdëruar Stalinin”, thotë Narusova.

Aleksandr Vinnikov, aktivist i të drejtave të njeriut dhe ish-ligjvënës i qytetit që ka punuar nga afër me Sobchakun, thotë se koha e publikimit është e sigurt se do të demoralizojë njerëzit që janë alarmuar nga sinkronizimi në rritje midis regjimeve të Putinit dhe Stalinit.

Ai thotë se libri mund të ndihmojë edhe t’i jepet përgjigje pyetjes se çfarë e ka ndryshuar të menduarit e Putinit nga koha kur ka qenë ndihmës i Sobchakut.

“Është pyetje shumë interesante se si ndihmësi i Sobchakut, i cili ka qenë aq anti-stanilist dhe aq anti-komunist, të shndërrohet në president si Putini”, thotë Vinnikov.

Politikanë të tjerë të Shën Petersburgut janë më skeptikë për vlerën e vëllimit të pasvdekjes së Sobchakut.

“Nuk mund të them se çfarë ka bërë ai në Paris”, thotë Sergei Yegorov, ish-deputet i Shën Petersburgut. “Por, nuk ka asgjë që më bën të dyshoj se ai ka pasur njohuri për historinë. Nuk mendoj se ai është i aftë për të larguar mitin e Stalinit – është miti i Sobchakut që duhet ta largojmë disi”, shton Yegorov.

Narusova i hedh poshtë këto kritika për burrin e saj të ndjerë, duke thënë se libri i tij është studiuar mirë dhe vjen në kohën e “rilindjes sovjetike”.

"Anatoly Aleksandrovich [Sobchak] ka besuar se krimi i shkatërrimit të miliona njerëzve të pafajshëm në Gulag ka qenë i krahasueshëm me krimet e Hitlerit. Hitleri ka shkatërruar kombet e tjera; Stalini ka shkatërruar të tijin. Sobchak e ka kuptuar se rrënjet totalitarizmit shtrihen brenda popullit tonë. Kjo bindje e nënshtrimit– duke votuar për personin për të cilin ju është thënë të votoni – mbetet. Dhe, libri tërheq vërejtjen”, thotë Narusova.

Përgatiti: Valona Tela