Mungesë e terapisë për fëmijët e prekur me HIV/AIDS

QKUK

Gjatë vitit 2014 , janë regjistruar shtatë raste të reja të prekura me virusin HIV/AIDS në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.

Por, përfaqësues të organizatës për personat që janë të prekur nga virusi HIV/AIDS në Kosovë, thonë se kanë probleme në furnizim me terapi.

Alban Gjonbalaj, udhëheqës i kësaj organizate, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se terapia për fëmijët e prekur me HIV/AIDS mungon.

Sipas tij, në Kosovë janë dy fëmijë të prekur me këtë virus, e që terapinë e kanë marrë jashtë shtetit në mungesë të trajtimit në Kosovë.

"Gjatë vitit 2014, kemi pasur ndërprerje të terapisë prej 5 muajsh. Në dhjetor është bërë kërkesa dhe tash kemi terapi, ku parashihet që kjo të zgjasë për rreth një vjet. Por, problem kemi me terapi për fëmijët, pra nuk kemi terapi pediatrike", ka shtuar Gjonbalaj.

Por, Izet Sadiku infektolog, ka thënë se terapia për trajtimin e virusit HIV/AIDS te fëmijët mungon, pasi që nuk ka pasur kërkesa për furnizim me këto lloj ilaçesh.

Ndërkaq, ai përmend se ndërprerja e terapisë për pacientët e prekur me këtë virus ndikon shumë keq, pasi që sipas tij, barnat krijojnë varësi.

"Në klinikën infektive trajtohen 14 pacientë me terapi retrovirale. Vitin e kaluar dhe para dy vjetësh, ka pasur mungesë të terapisë dhe është dashur t'u ndërprehet terapia pacientëve".

"Por, ndërprerja e terapisë për pacientët me HIV ndikon shumë keq, pasi që barnat krijojnë varësi dhe në bazë të analizave laboratorike, pacientët që e shtyjnë terapinë janë mjaft keq me shëndet".

Në anën tjetër, zoti Gjonbalaj thotë se përpos personave që në vazhdimësi marrin terapi, këtë vit pritet të hyjnë edhe të prekur të tjerë në terapi retrovirale.

"Janë 14 persona që marrin terapi. Pritet të hyjnë edhe disa persona të tjerë. Sa persona do të jenë, varen nga analizat që janë në proces. Mungesa e terapisë shkakton dëme te personat e prekur me HIV, meqë gjendja e pacientëve mund të përkeqësohet", ka shtuar Gjonbalaj.

Ndryshe, Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, bën sigurimin e barnave për HIV /AIDS, derisa Ministria e Shëndetësisë i blenë ato.

Sidoqoftë, përfaqësues të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët, por nuk e mohojnë faktin se faktorët e rrezikut si trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishme.