Klinika e neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është pajisur me një aparat që përcakton analizën e gjakut tek foshnjet dhe rezultati realizohet brenda katër minutash.
Kështu thotë Mynavere Hoxha, neonatologe, e cila ka shtuar se deri në marrjen e këtij aparati, gjaku është bartur nga klinika nëpër laboratore, ku siç thotë ajo, ndodhë që rezultati mund të mos jetë i saktë pasi që ndikon mënyra e bartjes së gjakut.
"Ky është një aparat që është siguruar si donacion. Kjo përcakton pasqyrën e gjakut të fëmijëve si dhe crp-në. Analizën tash mund ta realizojmë brenda klinikës neonatologjike. Përmes këtij aparati, merret vetëm një pikë gjaku. Kjo analizë na ndihmon në ecurinë e përcjelljes së sëmundjes dhe ndërprerjen ose jo të antibiotikut tek fëmijët".
Zonja Hoxha ka shtuar se analiza e tillë është kryer edhe më herët nëpër laboratore, qofshin ato private apo edhe brenda QKUK së, por që në orë të caktuara, derisa shton se komplikimet tek fëmijët mund të ndodhin edhe gjatë orëve të vona të natës.
"Janë realizuar këto analiza, por ka qenë ora e caktuar, deri në 9 të mëngjesit, derisa fëmijëve mund t'u komplikohet gjendja edhe gjatë natës. Pastaj është dashur sasi më e madhe e gjakut, të shpohet vena e kështu me rradhë. Derisa tash, brenda 4 minutash realizohet analiza me vetëm nj pikë gjaku".
Por, jo edhe në klinikën pediatrike mund t'i bëjnë fëmijëve të sëmurë analizën e gjakut. Kjo jo për shkak të mungesës së aparatit brenda laboratorëve, por në mungesë të reagencave, mjete këto që shërbejnë për të funksionuar aparati.
"Kemi aparatin në emergjencën pediatrike, në laborator. Por, duhet reagenca për këtë aparat. Reagencat mungojnë, dhe laboratori biokimik nuk po mund të na i sigurojnë dhe nuk shfrytëzohet. Analizat fëmijët i bëjnë në laboratore private".
"Ne kemi biseduar edhe me drejtorin e biokimisë për analizën e CRP-së, por edhe për analiza tjera, por thonë se nuk ju përputhen reagencat me aparatin tonë", ka deklaruar Muharrem Avdiu, pediatër.
Sidoqoftë, zonja Hoxha ka shtuar se presin përkrahje institucionale që ky aparat të furnizohet me reagenca, në mënyrë që të vazhdojë funksionimi i tij.