Qeveria e Kosovës formon komision për faljen e borxheve ndaj shtetit

Ilustrim

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të enjten, kjo e fundit ka miratuar vendimin për themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik.

Falja e borxheve nga Qeveria e Kosovës, do të bëhet nga ana e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha borxhet që i kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Pas mbledhjes se qeverisë, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, e ka cilësuar të rëndësisë kapitale vendimin në fjalë.

Ai ka thënë se janë bërë vlerësimet paraprake për borxhet, që bizneset dhe qytetarët kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, tatimi në pronë, dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike në energji, ujë, mbeturina dhe ngrohje.

Në afat prej një muaji, ka thënë ministri Hoti, ky komision do të dalë para qeverisë me propozimin për nivelin e këtyre borxheve dhe procedurat e mëtutjeshme për të legalizuar këtë vendim, në instancat e duhura të Republikës së Kosovës.

“Nuk ka ndryshim më të madh pas luftës që nga viti 1998 - 1999, se në vitin 2008. Prandaj, ne po planifikojmë të bëjmë një prerje në këtë vit, do të falim të gjitha borxhet që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit dhe ndaj ndërmarrjeve publike”, ka thënë ministri Hoti.

Ai ka shtuar se qeveria është duke shqyrtuar edhe mundësinë që pas 31 dhjetorit 2008, të falen ndëshkimet dhe interesi për borxhet që qytetarët dhe bizneset nuk kanë paguar gjatë kësaj periudhe.

Ndryshe, kjo iniciativë mirëpritet nga ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, raste të tilla kanë ndodhur edhe në shtete të ndryshme, të cilat kanë pasur probleme të theksuara sociale.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës Për Studime Strategjike dhe Sociale "STRAS”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se puna e parë e komisionit duhet të jetë ndërtimi i kritereve dhe caktimi i kategorive se kush mund të përfitojë nga vendimi i qeverisë.

“Puna e parë e komisionit nuk duhet të jetë gjetja e shifrave se sa është totali i borxhit, qoftë si obligime fiskale apo shërbime të ndryshme publike, por së pari duhet të ndërtojë kritere, se kujt mund t'i falen borxhet, apo që të fshihen të gjitha borxhet e vjetra".

"Ky model nuk është aq i aplikueshëm, sepse në shumicën e rasteve merren parasyshë rastet sociale, apo merren parasyshë rastet e qytetarëve më të hyra të vogla dhe pamundësi për pagesën e këtyre borxheve.” thekson Rexhepi.

Sipas Rexhepit, borxhet më të mëdha të konsumatorëve kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, tashmë pas privatizimit, Distribucionit për Furnizim më Energji Elektrike (KEDS), dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndryshe, sipas deklaratave të zyrtarëve të disa ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore, dhënë Radios Evropa e Lirë, deri në vitin 2010, thuhet se mbi 320 milion euro ka qenë shuma e konsumatorëve që kanë borxh ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga përfundimi i luftës deri në mesin e dhjetorit të vitit 2007.

Ndërkaq, borxhi i përgjithshëm që tatimpaguesit kanë ndaj Administratës Tatimore deri në tetor të vitit 2008, është mbi 241 milionë euro, prej të cilave rreth 60 milionë euro janë ndëshkime.

Borxhi i konsumatorëve ndaj Ngrohtores se Qytetit “Termokos”, deri në fund të dhjetorit të vitit 2010 ka arritur në 5 milionë e 800 mijë euro.