Fëmijët në duart e IS-it

Grupi i fëmijëve kazakë në duart e IS-it

Grupi militant Shteti Islamik, po i shfrytëzon fëmijët në Irak si sulmues vetëvrasës, po i rrëmben ata për t’i shitur si skllevër seksi dhe po i shfrytëzon edhe si mburoja njerëzore, thuhet në raportin e fundit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Sipas raportit, militantët e IS-it po shënjestërojnë veçanërisht fëmijë me aftësi të kufizuara, të pastrehët, fëmijë të zhvendosur, ata që kanë mbetur pa prindër dhe fëmijë nga Turqia e Siria të cilët në valën e luftimeve kanë përfunduar në Irak.

Rrëmbimi dhe skllavëria

Raporti i OKB-së shpreh shqetësim për “dhunën e vazhdueshme seksuale kundrejt fëmijëve” të kryer nga grupi IS.

Renate Winter, nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve në OKB, ka thënë më 4 shkurt se “përmasat e këtij problemi janë shumë të mëdha”.

Ajo tha se në shënjestër të rrëmbimit dhe skllavërimit nga IS-i nuk janë vetëm fëmijë të komuniteteve pakicë, si Yazidi dhe të krishterët, por edhe fëmijët shiitë dhe sunitë.

Që prej marrjes së kontrollit mbi Mosulin në qershor të vitit 2014, IS-i ka vrarë dhe zhvendosur mijëra pjesëtarë të pakicave fetare në veri të Irakut.

Sulmuesit vetëvrasës

Sipas OKB-së, Shteti Islamik po i shfrytëzon fëmijët me aftësi të kufizuara ose ata që i janë shitur këtij grupi, si sulmues vetëvrasës.

Zonja Winter i ka thënë agjencisë reduters se ka pasur raporte se fëmijë me vështirësi mendore janë përdorur nga IS-i si sulmues vetëvrasës, ndërkohë që vetë fëmijët nuk kanë kuptuar se ç’po bëhet me ta.

Militantët gjithashtu po i shfrytëzojnë fëmijët si mburoja njerëzore për të mbrojtur nga sulmet ajrore objektet e kontrolluara nga IS-i.

Fëmijët ushtarë

Fëmijë nga mosha 12 vjeç po stërviten në objekte ushtarake në Mosul, për të krijuar mjete shpërthyese, për të qenë roje në postblloqe dhe për të ndihmuar në rrëmbime, thotë raporti i OKB-së.

Në Siri, grupi militant Shtetit Islamik, ashtu sikurse edhe në Irak, nuk e kanë mbajtur të fshehur tendencën e tyre për të trajnuar ushtarakisht fëmijët dhe për t’i shfrytëzuar ata si sulmues vetëvrasës. Militantët e kanë nënvizuar madje këtë synim, duke e përfshirë atë në një video të publikuar në nëntor, ku shihet një grup fëmijësh kazakë të cilët trajnoheshin ushtarakisht.

Pamje fëmijësh të armatosur, qoftë me automatikë apo me armë të ftohta, të veshur si ushtarë, shpërndahen në shumë raste në profile të ndryshme rrjetesh sociale.

Por, nuk është vetëm Shteti Islamik ai që shfrytëzon fëmijët. Raporti i OKB-së vë në pah se edhe formacionet e sigurisë që mbështeten nga qeveria irakiane, kanë rekrutuar fëmijë, kurse fëmijët sirianë që gjenden në kampe të ndryshme refugjatësh shpesh gjenden nën trysni për t’u kthyer në vendlindje dhe për t’iu bashkuar Ushtrisë së Lirë Siriane, forcë kryengritëse në Siri, e cila mbështetet nga Perëndimi. (a.v.)