A mund të identifikohen tipet e sindromës Dawn në Kosovë?

Ilustrim

Organizata Dawn Sindrom Kosova, ka të identifikuar rreth 800 persona të prekur me këtë sindrom.

Ky sindrom përcjellet me tre lloje, ku 95 për qind e tyre janë të tipit rregullar, 2 deri në 4 për qind të tipit mozaik, derisa 2 deri në 3 për qind janë të prekur me tipin translakcion.

Por, sipas udhëheqëses së Organizatës Dawn Sindrom Kosova, Leonora Shabani, tipi mozaik nuk identifikohet në Kosovë.

Ajo thotë se përkundër statistikave botërore që 2 deri në 4 për qind fëmijë lindin me sindromën Dawn të tipit mozaik, organizata që ajo udhëheq, nuk posedon asnjë të identifikuar në Kosovë.

"Për fat të keq në Kosovë nuk kemi të identifikuar persona me llojin mozaik, tek ata që janë të prekur me Dawn Sindromë. Kjo për shkak se te shumica e personave të prekur me tipin mozaik, mjekët nuk e informojnë nënën, por këta persona edhe nuk vërehen shumë në fizionomi, apo në tiparet e tyre, siç janë te tipi rregullar".

Por, Murat Zejnullahu, pediatër i cili merret me fushën e gjenetikës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qysh nga viti 1981 bëhen analizat gjentike, e ndër to edhe identifikimi i fëmijëve me dawn sindrom të tipit mozaik.

"Sa i përket ecurisë klinike, tipi mozaik identifikohet në Kosovë. Numrin e saktë nuk e kemi, por rreth 3 për qind lindin si tip mozaik. Prej vitit 1981 është bërë identifikimi, prej kur edhe ka filluar analiza citogjentike te ne në Klinikën e Gjinekologjisë".

"Kjo kategori e fëmijëve janë të avancuar, unë kam pasur rastin të shoh që edhe kryejnë fakultetin", ka shtuar Zejnullahu.

Por, zonja Shabani thotë se këta persona është shumë e vështirë të identifikohen, andaj mjekët nuk i vërejnë dhe nënat fare nuk e dinë se rrisin një fëmijë me sindromën Dawn të tipit mozaik.

"Secili fëmijë i prekur me Dawn Sindrom, përngjan me familjen e vet, ani pse në shoqëri identifikohen si të njejtë në fizionomi. Tek tipi mozaik, fëmijët nuk vërehen shumë në tipare, sa i përket hundës, gjuhës, veshëve, syve, karakteristikë kjo e personave të prekur me Dawn Sindrom rregullar".

"Ndërkaq tek tipat mozaik, ata nuk përngjajnë aspak me personat me Dawn Sindrom me trizomi të lirë’’, është shprehur zonja Shabani.