Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike në Kosovë kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas protestave të shtunës në Prishtinë.
Organizatorët, që në këtë rast ishin shoqata "Thirrjet e Nënave" dhe Lëvizja Vetëvendosje, por që kanë marrë edhe mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës, i kanë dhënë kryeministrit Isa Mustafa një afat deri të hënën në orën 16:00, që të shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq, si dhe i kanë kërkuar qeverisë të nxjerr Ligjin për Trepçën, me të cilin ky kombinat do të shpallej ndërmarrje e veçantë publike.
Kryeministri Isa Mustafa ka qenë sot mjaftë aktiv me shkrime në profilin e tij në rrjetin social Facebook, duke replikuar me opozitën në secilën kërkesë që kishin parashtruar përmes protestave.
"Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviq, nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serb, i solli dialogu", ka shkruar kryeministri i Kosovës.
Një ditë më parë, Mustafa kishte thënë se Jabllanoviq nuk është problemi më i madh në Kosovë, duke rikujtuar se për fyerjet që ua kishte drejtuar nënave gjakovare, për çka edhe po i kërkohet shkarkimi i tij, Jabllanoviq tashmë ka kërkuar edhe falje publike.
Mustafa ka thënë se disa parti opozitare që tani po e kundërshtojnë Listën Serbe, në mandatin e kaluar bënin gara që numri i deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës të mbetej shumë më i madh.
Këtu ai ka apostrofuar sidomos Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re, ndonëse kjo e fundit nuk ka arritur që në këtë mandat të siguroj ndonjë vend në Kuvendin e Kosovës.
Mustafa kishte një përgjigje edhe për Trepçën. Ai ka shkruar se opozita e sotme ishte ajo që donte ta qonte këtë kombinat në likuidim përderisa qeveria po e shpëtonte Trepçën.
“Ata, të cilëve iu mbet merak për ta dërguar Trepçën në likuidim, për t’i zhdukur të gjitha gjurmët e vjedhjeve, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe manipulimeve, tani e quajnë të shantazhuar Qeverinë e cila së bashku me shumicën e deputetëve të Kuvendit e shpëtoi në momentin e fundit nga falimentimi dhe nga mbetja pa punë e mbi 5,000 punëtorëve”, ka thënë Mustafa.
Ai i ka vlerësuar të pakuptimta thirrjet Trepça është e jona, përderisa Trepça është në territorin e Kosovës.
Në anën tjetër, subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje e cila edhe po qëndron në ballë të protestave, i ka përsëritur Mustafës dhe qeverisë së tij se nga e dita e marte do të ballafaqohen me protesta të reja.
"Ne i kemi dhënë ultimatum Isa Mustafës që deri të hënën në ora 16:00 ta shkarkojë Jabllanoviqin dhe ta sjellë në Kuvend Ligjin që e shndërron Trepçën në ndërmarrje të veçantë publike", thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.
Sa i përket rrjedhës së protestës e cila në fund eskaloi në dhunë nga një grup protestuesish, Vetëvendosje thotë se ato zhvillime nuk ishin pjesë e skenarit.
"Një grup i vogël njerëzish në protestë, nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Poashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Një reagim pas protestave kishte edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Pakënaqësia po rritet. Populli po bashkohet. Qeveria ka mbetur pakicë, dhe duhet ta kuptojë që pushteti nuk është i individëve, por i popullit”, ka thënë Haradinaj.
Ai i ka kthyer një përgjigje edhe kryeministrit Mustafa në lidhje me ministrin Jabllanoviq, duke kërkuar nga kryeministri i Kosovës të reflekton sa më shpejt, pasi që pakënaqësitë e qytetarëve po rriten.
Edhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se një grup i vogël që bëri veprime të dhunshme nuk e minimizon protestën.
“Ftoj edhe njëherë koalicionin qeveritar që t’i merr seriozisht kërkesat e qytetarëve dhe shqetësimet e tyre dhe të mos tentojë që nëpërmjet mediave qeveritare, të minimizojë apo t’i ikën shkaqeve të protestës duke tentuar që protestën masive paqësore ta lë nën hijen e një episodi të dhunshëm të një grupi të vogël njerëzish që ndodhi”, është shprehur Limaj.
Për protestën e të shtunës në Prishtinë pati reaguar edhe presidentja Atifete Jahjaga.
Përmes një komunikate Jahjaga ka thënë se e konsideron protestën si një të drejtë demokratike të qytetarëve, për të shprehur kërkesat e tyre.
Por, ajo ka dënuar ashpër, siç ka thënë, "aktet vandale të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës".
Sidoqoftë, mbetet të shihet të hënën, kur edhe është ditë pune, se a do të ndikoj apo jo ky presion i opozitës mbi kryeministrin Mustafa që ai të ndërmarrë diçka në raport me ministrin Jabllanoviq.
Ndërkaq sa i përket Trepçës, mbase kjo çështje do të kërkon një kohë shumë më të gjatë për zgjidhje.