Një fshtar afgan, i cili rrezikoi jetën e tij për ta mbrojtur nga vrasja e talebanëve një ushtar amerikan, tash e gjen veten duke u lutur për ndihmë dhe është i zhgënjyer, ngase askush nuk është përgjigjur në thirrjet e tij.
Kur Mohammad Gulab e kishte gjetur të plagosur me armë të rënda ushtarin Marcus Luttrell, pas një përleshjeje me talebanët në malet verilindore të Afganistanit, në qershor të vitit 2005, Hollywoodi ishte gjëja e fundit që atij i kishte shkuar në mendje.
Qëllimi i Golabit ishte që ta mbronte ushtarin amerikan, duke e marrë atë dhe dërguar në fshatin e tij për ta mbrojtur atë nga militantët.
Në fund, Luttrell ishte i vetmi pjesëtar i ekipit të tij që shpëtoi dhe tregoi operacionin e tyre ushtarak. Këtë histori, Luttrell e ka përshkruar në librin e tij që më vonë u bë film i njohur i quajtur "Lone Survivor”.
Gulab, një banor i provincës Kunar, jetonte si një njëri i veçuar në Afganistan, për t'iu shmangur ndëshkimit, teksa ëndërronte marrjen e azilit në Shtetet e Bashkuara.
Gulab i ka thënë shërbimit të Radios Evropa e Lirë në Afganistan se tashmë ai është i zhgënjyer.
“Kur filmi u lansua, të gjithë e kuptuan historinë time”, thotë ai.
“Kjo do të thotë se unë duhet ta braktis familjen dhe atdheun tim. Edhe miqtë e mi u bënë armiqtë e mi. Unë dhe familja ime jemi në rrezik për t'u vrarë”, thotë ai.
Gulab ka jetuar i fshehur për vite me radhë. Ai thotë se në mënyrë të vazhdueshme ka qenë i kërcënuar nga telebanët ndërsa anëtarët e grupit militantë, ia kanë djegur shtëpinë dhe ia kanë vrarë një kushëri.
Avokati i migracionit në New York, Michael Wildes, është angazhuar dhe ka punuar që Gulab të marrë statusin e azilantit në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të këtij muaji, Wildes me ndihmën e zyrtarëve amerikanë, ka arritur që ta marrin Gulabin dhe familjen e tij dhe ta dërgojnë atë në një vend të tretë.
“Departamenti i Sigurisë Kombëtare, është duke e shqyrtuar dosjen e tij për të përcaktuar nëse ai dhe familja e tij, do të vendosen në Shtetet e Bashkuara, bazuar në atë që ai ka bërë”, i ka thënë avokati Wildes të hënën, televizionit Fox News.
Është e qartë se ai nuk është i impresionuar me procesin e gjatë dhe burokratik ,por është i vetëdijshëm se pavarësisht rreziqeve mbrojtja e e ushtarit amerikan, ishte çështje e nderit.
"E dija që shpëtimi i ushtarit amerikan do të ishte një rrezik i madh për mua dhe familjen time. Ky rrezik nuk vinte vetëm nga militantët, por edhe nga banorët vendas që më pyesnin se pse unë e kisha shpëtuar një amerikan".
"Por, për shkak të traditave tona afgane, unë e lejova atë që të qëndronte si mysafir. I thashë ushtarit amerikan se çdo afgan duhet ta mbrojë mysafirin e tij”, përfundon Gulab. (s.bajrami)