Gjykata e Apelit ka njoftuar sot se e ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës kundër caktimit të masës së dorëzanisë nga Gjykata ndaj gjjashtë të akuzuarve të njogur si “Grupi i Drenicës”.
Gjykata e apelit, përmes një kumtese të lëshuar, ka njoftuar se Kolegji Penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, i përberë nga një gjyqtar ndërkombëtar dhe dy vendorë, mori vendim që aktvendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, sipas të cilit gjashtë persona janë liruar nga paraburgimi, të mbetet në fuqi.
Me vendimin e datës 19 janar të vitit 2014 nga paraburgimi janë liruar: Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Jahur Demaku, Sylejman Selimi, Isni Thaqi dhe Zeqir Demaku.
Ndaj tyre është caktuar kjo masë pas dhënies së dorzanisë.
“Gjykata e Apelit konstaton nder të tjera se ndërprerja e paraburgimit dhe zëvendësimi i tij me masën e dorëzanisë, ka qenë vendim i ligjshëm, proporcional dhe është trajtuar me konsideratën e duhur nga gjykata e shkallës së parë”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.