Dhuna në shkolla, dukuri shqetësuese në Kosovë

Një shkollë në Prishtinë

Në mjediset edukativo-arsimore, sjelljet e dhunshme në mes nxënëse kanë filluar të bëhen mjaft shqetësuese për shoqërinë në Kosovë.

Për këtë çështje në rubrikën “Në fokus”, të Radios Evropa e Lirë, flasin zyrtarë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, avokati i popullit dhe psikologë.

Hulumtimet e fundit të bëra nga organizatat joqeveritare që kanë përfshirë nxënës të shkollave të mesme të nivelit të ulët dhe të lartë në vend, kanë treguar për një trend të rritjes së dhunës fizike dhe psikologjike në mes nxënësve.

Në të gjitha diskutimet që janë zhvilluar, nxënësit kanë raportuar se janë dëshmitarë të dhunës nëpër ambientet shkollore.

Vetëm në gashtë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 327 raste të incidenteve që kanë ndodhur në ambientet shkollore apo afër tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se krahasuar vitin 2013 me vitin 2012, ka pasur rënie të incidenteve të shkaktuara në afërsi të ambienteve shkollore, por që nuk mund të thuhet se ka rënie të incidenteve nëse krahasohet viti i kaluar me këtë vit.

“Viti 2013 i ka të evidentuar 387 raste, ndërsa për periudhën janar – gusht janë 327 raste , kështu që presim të përmbyllim vitin dhe ta marrim edhe pjesën e dytë të rasteve të evidentuara dhe të bëjmë një krahasim të rasteve që në shifra vërehet një afërsi pothuajse e njëjtë e rasteve”, thekson Kelani.

Këto incidente, tregon Kelani, kanë pasur të bëjnë më së shumti me prishje të rendit dhe qetësisë publike, lëndime të lehta apo të rënda trupore, ka pasur edhe raste posedim të armëve të ftohta si disa raste të posedimit të substancave narkotike.

“Policia e Kosovës ka qenë vazhdimisht e angazhuar në ofrimin e sigurisë në tërë territorin e Kosovës dhe në veçanti me plane konkrete që të ofrojë siguri në afërsi të ambienteve shkollore, por në raste të caktuara kur është kërkuar edhe brenda shkollave”, bën të ditur Kelani.

Hulumtimi i fundit i bërë nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim përmes një studimi të titulluar “Dhuna në mesin e nxënësve në sistemin shkollor në Kosovë”, ka dhënë fakte se dhuna fizike në mes nxënësve është mjaft e shprehur.

Kjo dhunë mes nxënësve thuhet se manifestohet në masë më të madhe përmes shtyrjeve, shuplakave dhe goditjeve.

Vigan Behluli, hulumtues në këtë studim, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se nxënësit kanë raportuar se përveç dhunës fizike që është dominante, ka edhe forma tjera të dhunës, siç është dhuna psikologjike, që kryesisht manifestohet ndërmjet emrave denigrues.

Dhuna në mes të nxënësve, shton Behluli vazhdon të adresohet në mënyrë sporadike, në mënyrë joformale, në mënyrë jostandarde dhe kaotike.

“Diçka që është brengosëse ka të bëjë me mungesën e ekzistimit të strukturës së mekanizmave, të cilët do të duhej të ekzistonin nëpër shkolla në mënyrë që nxënësit ta raportojnë dhe diku në mënyrë që përjetimi i tyre i dhunës të evidentohet dhe që hapat konkret të ndërmerren. Zakonisht nxënësit drejtohen të kujdestari i klasës i cili më pas tenton ta zbus problemin, por edhe kjo nuk është funksionale në të gjitha rastet”, tregon Behluli.

Hulumtimi ka vënë në pah se në këto rrethana, ka një tendencë që dhuna në shkollat e Kosovës të shndërrohet në sistematike, e heshtur dhe e pranuar në mënyrë të përgjithshme nga shoqëria, që në anën tjetër mund të shërbejë si potencial i fshehtë për të dhunuar integritetin e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka folur edhe për disa raste të dhunës të shkaktuara mes nxënësve e që sipas tij, është mjaft shqetësuese.

“Ne kemi takime të rregullta në shkolla, por edhe më fëmijë dhe unë personalisht kam pasur takime dhe i kemi dëgjuar shqetësimet dhe brengat tyre për gjendjen në shkolla. Kemi shumë shqetësime, qoftë për përfshirjen në akte të dhunës midis nxënësve, bartja e mjeteve që mund të kualifikohen si armë të ftohta, por edhe të nxehta”, thekson ai.

Dhuna psikologjike e mësimdhënësve ndaj nxënësve në rritje

Vigan Behluli hulumtues i studimit “Dhuna në mesin e nxënësve në sistemin shkollor në Kosovë”, tregon se dhuna psikologjike është rritur po ashtu edhe nga mësimdhënësit ndaj nxënësve.

“Dhuna psikologjike, siç është përdorimi i gjuhës poshtëruese, është rritur dhe është përdorur edhe nga mësimdhënësit (ndaj nxënësve) e edhe nga nxënësit (në mes tyre). Vënia e emrave manifestohet përmes imitimit të sjelljes së personelit mësimor, në formë të kopjimit të terminologjisë së përdorur nga mësimdhënësit dhe në raste të tjera paraqet si pikë referuese për çështjet personale apo familjare”, tregon Behluli.

Për rastet e dhunës së mësimdhënësve ndaj nxënësve, tregon edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. Ai tregon që kanë pasur dy raste të dhunës së mësimdhënëse ndaj nxënësve të cilat janë adresuar.

“Kemi dhënë rekomandimet tona për përmirësimin e kësaj gjendje sepse kjo ka qenë shqetësuese dhe mbetet shqetësuese dhe rekomandimet e avokatit të popullit për këtë dukuri mbeten aktuale".

"Ne kemi kërkuar që të rritet numri i psikologëve dhe pedagogëve ose të jenë pjesë e personelit, orët e kujdestarisë detyrimisht të futen në programe shkollore, të shtohet komunikimi mes mësimdhënësve dhe prindërve më qëllim të adresimit të këtyre problemeve në mënyrë konkrete”, thotë Kurteshi.

Faktorët nxitës të dhunës

Profesori i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Dashamir Bërxulli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për faktorët nxitës të dhunës mes fëmijëve në ambientet shkollore.

“Shkolla nuk bën punën më të mirë të mundshme në orientim në karrierën e nxënësve, sepse nxënësit që kanë të qartë rrugën që do të ecin kanë pak mundësi që të ushtrojnë dhunë ndaj të tjerëve, por kur nuk ka një pikë të referencës së caktuar brendaasaj se çka mendon vetë nxënësi është e mundur që të ketë hapësirë për sjellje që nuk përputhem më një qëllim dhe një më vetëdije të caktuar të nxënësit”, vlerëson Bërxulli.

Nga ana sipas psikologut Bërxulli, nxitës të dhunës mund të jenë edhe problemet e caktuara që rrjedhin nga familja.

Sipas tij, ka familje të përçara, ka familje me konflikte të brendshme të mëdha, familje të varfra si dhe familje të mëdha.

“Nga ana tjetër vetë nxënësi mund të jetë i përballur me probleme të caktuara të shëndetit mental, ankthi, mund të jetë një arsye e mundshme për dhunë, depresioni gjithashtu. Në shkollat tona nuk ka mjaftueshëm staf kualifikues për të trajtuar këto problem të tilla të nxënësve, po ashtu edhe këshillimi i nxënësve është në nivel të ulët”, thotë psikologu Bërxulli.

Dhuna në mes nxënësve po ashtu vlerësohet se mund të këtë burim të përhapjes, dështimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme të komunikimit dhe të bashkëpunimit në mes autoriteteve shkollore, nxënësve dhe prindërve.