Qeveria e Kosovës do t'i kryej obligimet që ka marrë përsipër në këtë situatë mjaftë të ndjeshme politike, ka deklaruar kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa. Këto komente, Mustafa i bëri në mbledhjen e parë të përbërjes së re të qeverisë së Kosovës, ku në vija të përgjithësuara ka shpalosur pikat programore.
I ulur për herë të parë në karrigen e kryeministrit, Mustafa kishte nga ana e djathtë edhe kryeministri i deritashëm, Hashim Thaçi, i cili sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të ketë postin e zëvendëskryeministrit.
Pak çaste para mbledhjes së qeverisë, Thaçi përmes një ceremonie nën përcjelljen e gardës ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i dorëzoi detyrën pasuesit të tij, Isa Mustafa.
Gjatë mbledhjes së parë të ekzekutivit nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Mustafa u zotua të përmbushë shumë obligime që ka marrë përsipër vendi.
“Kemi marrë përgjegjësinë në një situatë të ndjeshme për Kosovën. Do të jemi të përkushtuar në zhvillimin ekonomik, integriminin evropian. Shprehim përkushtimin tonë që me përgjegjësi t’i kryejmë obligimet tona si qeveri. Do të bashkëpunojë me presidenten Atifete Jahjaga dhe me të gjithë përfaqësuesit institucional dhe politikë”, ka deklaruar Mustafa.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka thënë me këtë rast se plani qeverisës për vitin 2015 do të jetë i gatshëm në janar, duke paralajmëruar se disa projekte për të cilat ka dyshime të realizohen, nuk do të përfshihen në të.
Ndërkaq si prioritete, Mustafa i ka përmendur disa projektligje, ndër ta edhe atë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe projektligjin për Gjykatën Speciale për Krime të Luftës në Kosovë.
Mustafa është zotuar se gjatë mandatit 4 vjeçar në fokus të qeverisjes do të ketë zhvillimin ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe angazhimet në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Po ashtu, ai ka përmendur edhe shumë sfida në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe reformat në administratë.
Një sfidë tjetër mbase do të jetë edhe lobimi për njohjet e reja dhe anëtarësim të Kosovës në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.