FBI, hetime kundër manjatit rus të mediave?

Bosi i medias shtetërore ruse, Mikhail Lesin

Autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara po e shqyrtojnë kërkesën për hetime, nëse bosi i fuqishëm i medias shtetërore ruse, Mikhail Lesin, e ka shkelur legjislacionin kundër pastrimit të parave në Shtetet e Bashkuara, kur ai kishte blerë patundshmëri të shtrenjta në Kaliforni.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar një kopje të letrës së dërguar më 3 dhjetor nga ndihmës-prokurori i përgjithshëm amerikan, Peter Kadzik, në të cilën thuhet se kjo kërkesë nga senatori i Shteteve të Bashkuara, Roger Wicker, i drejtohej Departamentit të drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe agjencisë FBI.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit e ka konfirmuar autenticitetin e letrës.

Mikhail Lesin, shef i kompanisë, Gazprom-Media, që është pronë e shtetit në Rusi, është ish-ministër i informatave i Rusisë dhe shihet si ideologu i rrjetit transmetues RT, që financohet nga shteti.

Senatori Wicker kishte kërkuar nga Departamenti amerikan i drejtësisë në muajin korrik, që të zhvilloj hetime nëse zoti Lesin kishte shfrytëzuar fonde të paligjshme për të blerë shtëpi në vlerë prej disa milionave dollarësh në hapësirën e Los Anshelosit.

Senatori Wicker i tha Radios Evropa e Lirë se derisa “Departamenti i drejtësisë nuk e konfirmon e as nuk e mohon ekzistimin e një hetimi në zhvillim”, ai beson se letra e ndihmës-prokurorit Kadzik, “është hap pozitiv përpara”.

Në komentet e tij të dërguara me email, zoti Wicker thotë se “shpresoj se një seri e plotë e mjeteve në disponim po përdoren për të shikuar në shkelje të mundshme të Aktit të Jashtëm të Praktikave Korruptuese dhe ligjeve kundër pastrimit të parave nga ana e zotit Lesin”.

Dokumentet e dërguara në një çështje jo të ndërlidhur në Gjykatën e Lartë në Kaliforni, që janë siguruar nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se zoti Lesin është pronar i vetëm i kompanisë, Dastel Corporation, e themeluar në Kaliforni në korrik të vitit 2011.

Regjistrat e pasurisë publike tregojnë se Dastel Corporation e ka blerë një shtëpi prej afro 11 mijë metrash katrorë në Beverly Hills, në gusht të vitit 2011, për 13.8 milionë dollarësh, dhe një shtëpi me sipërfaqe prej afro 9 mijë metrash katrorë në Brentwood, për 9 milionë dollarë, në vitin 2010.

Të dhënat publike dhe dokumentet gjyqësore tregojnë se dy pasuri të tjera të shtrenjta në territorin e Los Anxhelosit janë të lidhura me familjen e ngushtë të zotit Mikhail Lesin.

Në letrën e tij të datës 29 korrik për prokurorin e përgjithshëm amerikan, Eric Holder, senatori Wicker thotë se fakti se “shërbyesi publik rus ka mundur të tuboj fonde të konsiderueshme për të blerë dhe mbajtur” pasuri të tillë të shtrenjtë jashtë “shton pyetje serioze”.

Mikhail Lesin i ishte përgjigjur letrës së senatorit Wicker, gjatë një interviste të gjatë për versionin rus të revistës Forbes, në muajin gusht, duke pretenduar se fëmijët e tij kishin marrë kredi për ta blerë pasurinë e përmendur.

“Sigurisht se nuk është pasuri imja”, pat thënë Lesin në këtë intervistë.

Por, presidenti i Dastel Corporation, Ilya Tsipis, në deklaratën në Gjykatën e Lartë në Los Anxhelos, më 27 korrik, tha se prej themelimit të kompanisë “të gjitha aksionet në shitje dhe ato të papaguara të Dastelit ishin pasuri e një personi të vetëm: Mikhail Lesin, banor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kësaj deklarate zoti Tsipis ia ka bashkuar atë që ai e quajti si “kopje të vërtetë dhe korrekte” të certifikatës së aksioneve të zotit Lesin, që i konfirmon deklaratat e tij dhe ky dokument ishte parë nga Radio Evropa e Lirë.

Tsipis, po ashtu, tha se “nuk është pronë dhe asnjëherë nuk ka qenë pronë” e djalit të Lesinit, Antoine, gruas së djalit apo bashkëshortes së tij.

Kjo deklaratë është bërë lidhur me një padi të bërë nga një punëtor i familjes, që ishte punësuar nga kompania Dastel, i cili pretendon se kjo kompani dhe familja e ngushtë e Lesinit kishin kryer një numër të shkeljeve të ligjit të punës.

Kjo padi do të procedohet në gjykatë në muajin mars, sipas faqes lokale të lajmeve në Internet në Shtetet e Bashkuara, Patch.com.

Antoine Lesine është producent i filmit, i cili ka shërbyer së bashku me yllin e Hollivudit, Brad Pitt, si producent ekzekutiv, në dramën e Luftës së Dytë Botërore, Fury (Tërbimi), në të cilin luajti aktori Pitt, ndërsa ka filluar të shfaqet në muajin tetor.

Në intervistën për revistën Forbes, Lesin tha se vajza e tij është shefe e zyrës së transmetuesit RT, që është një rrjet ndërkombëtar i lajmeve, i finacuar nga Kremlini, që ka filluar punën në vitin 2005.

Gjërësisht, zotit Lesin i ishin dhënë meritat se ishte ideolog i projektit RT, të cilin zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar për përhapjen e “propagandës” së Kremlinit.

Rrjeti vazhdimisht është përgjigjur ndaj kritikave të tilla duke thënë se paraqet një perspektivë alternative të zhvillimeve globale.

Themeluesi i njërës prej kompanive më të mëdha ruse të reklamave, Video International, Mikhail Lesin, ka shërbyer si ministër i informatave gjatë mandatit të parë të presidentit, Vladimir Putin, me ç’rast kishte luajtur rol qendror në çimentimin e kontrollit shtetëror ndaj kanalit të pavarur televiziv, NTV.

Pastaj, ai shërbeu si këshilltar i presidencës gjatë manadatit të dytë të Putinit dhe ishte shkarkuar nga ky post, në vitin 2009, nga presidenti i atëhershëm, Dmitry Medvedev.

Prej tetorit të vitit 2013, Mikhail Lesin është shef i kompanisë më të madhe mediale, Gazrpom –Media.

Përgatiti: Fatmir Bujupi