Përfshirja e vetëm dy grave në Qeverinë e re të Kosovës, është kritikuar nga përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren më të drejtat e grave dhe barazi gjinore.
Në një diskutim të hapur me temën “Çfarë ndikimi ka fuqizimi i grave në mirëqenien e një vendi", ato kanë theksuar se më këtë përfshirje të ulët të femrave në institucione vendimmarrëse, gratë në Kosovë u diskriminuan.
Ministret e Qeverisë së re të Kosovës do të jenë Edita Tahiri, ministre e pa portofol dhe Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Përfaqësuesja e Qendrës Kosovarë për të Drejta Gjinore, Luljeta Demolli ka theksuar se në përgjithësi femrave në Kosovë nuk iu është dhënë mundësia që të jenë në pozita të larta vendimmarrëse.
“Mundësia që i jepet gruas që të mbërrijë në poste të larta dhe rrjedhimisht të paguhet më shumë, është e ulët në Kosovë. Së fundi kemi parë që në Qeverinë e re të Kosovës, femrave iu janë ndarë vetëm dy ministri. Po ashtu në kemi shumë pak gra në borde, kemi shumë pak gra në Agjencione të ndryshme të pavarura, janë vetëm 3 për qind në Bordet e mëdha. Kështu që mundësia që gratë të kenë një rrogë më të madhe gati që nuk ekziston fare”, vlerëson Demolli.
Për numrin e vogël të femrave në poste ministrore është shprehur e zhgënjyer edhe euro-deputetja dhe zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek.
Derisa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media thekson se ka qenë përgjegjësi e partive politike që kanë bërë koalicion të respektojnë parimin e barazisë gjinore përmes mos diskriminimit duke propozuar më shumë femra për poste ministrore dhe poste të tjera vendimmarrëse.
“Pikërisht qeveria që do të duhej të ishte garantuese dhe zbatuese e krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë, por po e shkelë këtë zotim dhe standard pasi që është vetëm një ministre femër në kabinetin e ri qeveritar dhe një post i improvizuar ministror për një “ministre” tjetër femër”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Sidoqoftë, përfaqësueset e organizatave joqeveritare për mbrojtjen e grave kanë theksuar se pavarësisht miratimit në ligjet për barazi gjinore, strategji dhe dokumente të ndryshme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të grave, të gjitha këto po i sfidojnë paragjykimet nga shoqëria në përgjithësi.
Eli Krasniqi, nga Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, “Alter Habitus” , ka theksuar se Kosova ka një bazë ligjore të mirë, sa u përket të drejtave të grave, por që problemi, sipas saj, qëndron në zbatimin e tyre.
“I kemi ligjet, por çka ndodh, nuk ka implementim, por që edhe kur ka implementim, forma në të cilat zbatohet ligji është në atë formë që prapë se prapë gratë nuk e përmbushin të drejtën e tyre ligjore në aspekte të ndryshme, në veçanti kur kemi të bëjmë me dhunën në familje”, shprehet Krasniqi.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të implikojë aspektin gjinor në planifikim buxhetor.
“Qeveria e Kosovës duhet të integrojë aspektin gjinorë në planifikimin, implementimin dhe montimin e të gjithë ligjeve në Kosovë në aspektin gjinor si në nivel qëndror e ashtu edhe në atë lokal”, shprehet ajo.
Ndryshe, Ligji për Barazi Gjinore, obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.