Gul Makai, që në përkthim do të thotë “lule misri”, ishte emri me të cilin e kishte pagëzuar miku i saj. Ky emër fshihej pas zërit që rrëfente tmerrin e militantëve talibanë, në atë kohë, për dëgjuesit e BBC-së.
Sot, Malala Yousafzai është laureatja më e re në histori e Çmimit Nobel për Paqe. Është vetëm 17 vjeçe, por njihet globalisht për fushatën e saj për edukimin e vajzave në Pakistan.
Në librin e saj “Unë jam Malala”, si dhe në paraqitje të tjera publike, ajo i dedikon një pjesë të arritjeve të saj bashkëvendësit dhe gazetarit Abdul Hai Kakar. Thotë se e ka ndihmuar, këshilluar dhe e ka mbështetur vazhdimisht kauzën e saj.
Në vitin 2007, kur talibanët kishin “pushtuar” Luginën Suat, vendlindjen e Malalas, Hai Kakar, si korrespondent i BBC-së nga Pakistani, raportonte për “tragjedinë njerëzore” atje.
Militantët, me në krye Maulana Fazlullahun, kishin shtrirë versionin e tyre të Islamit, që, pos tjerash, urdhëronte pronarët e dyqaneve të mos hapnin dyert për gratë. Ata vrisnin këngëtarë, njerëz të tjerë të artit dhe mbyllnin sallonet e bukurisë. Për t’i radikalizuar gjërat edhe më shumë, kanë urdhëruar vajzat që të qëndrojnë larg shkollës – gjithnjë duke thënë se kjo është vlerë e Perëndimit dhe antivlerë e Islamit.
Pikërisht kjo ka bërë që gazetari Hai Kakar të dalë me idenë e ditarit, që do të mbahej nga një vajzë, viktimë potenciale e ndalesës së shkollimit, dhe do të përshkruante jetën nën regjimin taliban.
Pas përpjekjeve të shumta për të gjetur autoren, Hai Kakar arrin te Malala, e cila më 2 janar të vitit 2008 do të “shkruante” ditarin e parë për BBC-në.
“Ka qenë shumë e vogël, ndoshta 11 vjeçe. Ditarin ma dërgonte përmes telefonit. Ajo ka folur, unë kam shkruar. Në Suat nuk kishte rrymë, as internet… Flisnim çdo natë, shtatë ditë, dhe ditari me rrëfimet e Malalës publikohej një herë në javë në shërbimin urdu të BBC-së. Përkthehej edhe në gjuhën angleze. Në total janë publikuar 12 ditare”, rrëfen Hai Kakar për Radion Evropa e Lirë.
Nga frika se mund të jetë shënjestër e sulmit të talibanëve, Hai Kakar ka mbrojtur identitetin e Malalas, duke i dhënë emrin Gul Makai.
“Gul Makai do të thotë lule misri. Përse e kam zgjedhur këtë? Janë disa arsye, por njëra nga to është se Gul Makai është emër Pashtu. Shumica e njerëzve tanë kanë emra arabë dhe një emër Pashtu do të ishte më i afërt me komunitetin Pashtu, që vuante pasojat e talibanëve”, thotë Hai Kakar.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjithnjë për të mbrojtur Gul Makain, Hai Kakar thotë se ka përdorur telefonin e gruas së tij për të incizuar ditarin, meqë telefoni i tij, si gazetar, ka qenë i përgjuar nga autoritetet shtetërore.
“Gjatë transkriptimit të ditarit të saj kam ndjerë disa gjëra. Ajo ka qenë e vogël, por ka pasur njohuri politike. E ka ditur se çfarë ndodh përreth saj. Nxirrte në pah gjëra shumë, shumë të vogla, ka qenë vëzhguese e mprehtë".
"Pastaj, në shoqërinë tonë që është e dominuar nga meshkujt, nuk është normale që vajzat të flasin me meshkuj. Por, ajo ka pasur shumë vetëbesim, çfarë do të thotë se familja e ka mbështetur dhe e ka lejuar të rritet me aftësitë e saj”, shprehet Hai Kakar.
Ai nuk thotë se ky ditar e ka bërë Malalën të njohur botërisht. Thotë se ndryshe nga vajzat e tjera të Suatit, Malala ka qenë shumë aktive, është parë çdokund me babain e saj, Ziaudin Yousafzai, i cili ka qenë aktivist anti-taliban, ka udhëtuar nëpër qytete të ndryshme të Pakistanit për të vetëdijesuar opinionin për “brutalitetet” në Suat.
“Kurdo që televizioni pakistanez ka raportuar për arsimin, shkollat, Malala ka qenë atje dhe ka folur për mediat. Pra, ka qenë shumë aktive, edhe pse ka qenë 11, 12 apo 13 vjeçe”, thotë Hai Kakar.
Emri i saj i vërtetë si autore e ditarit është nxjerrë në pah nga vetë babai i saj, kur ka vendosur që Malala të konkurrojë për një çmim për fëmijët, tregon Hai Kakar.
Dhe, në tetor të vitit 2009, ajo ka qenë shënjestër e sulmit të talibanëve në Suat. Hai Kakar thotë se ka qenë i tronditur me lajmin dhe nuk ka besuar se do të shpëtojë. Kujton edhe fjalët e babait të Malalës, i cili sulmin e ka përjetuar si “ditë të gjykimit” për të.
Por sot, Hai Kakar, i cili punon për Shërbimin e Pakistanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se i gëzohet dhe ndjehet krenar për çdo sukses të Malaës, e cila jeton në Birmingham të Britanisë. Dëgjohen shpesh përmes telefonit, flasin, qeshin, bëjnë shaka, por nuk lënë anash as zhvillimet politike në Pakistan.