Maqedoni: Vazhdojnë pengesat për zbatimin e dygjuhësisë

Shkup

Përdorimi i gjuhës shqipe në kryeqytetin e Maqedonisë vazhdon të përballet me sfida të shumta për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit për qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e administrimit lokal.

Tabelat udhëzuese, mbishkrimet në ura, sheshe e bulevarde, vazhdojnë të shkruhen vetëm në gjuhën maqedonase edhe pse në Shkup, përveç maqedonishtes dhe alfabetit të saj zyrtar, është edhe gjuha shqipe.

Drejtuesit e kryeqytetit arsyetohen se rregullorja për mbishkrimet nuk parasheh përdorimin edhe të gjuhës shqipe. Për këtë qëllim ishte formuar edhe një komision, por puna e tij ka dështuar për shkak të dallimeve në qëndrime mes anëtarëve maqedonas dhe shqiptar.

Kryebashkiaku Koce Trajanovski, problemin e ka adresuar tek Kuvendi i Maqedonisë.

“Qyteti i Shkupit ka përfunduar punën e tij. Ne zbatojmë dispozitat ligjore, ashtu siç ekzistojnë. Është formuar një komision edhe ai ka përfunduar punën e tij, kështu që kjo çështje është në kompetencë të Kuvendit të Maqedonisë”, ka deklaruar Koce Trajanovski.

Qemal Musliu, këshilltar në Qytetin e Shkupit, thotë se problemi duhet të kaloj për zgjidhje në Qeveri dhe Kuvend. Ai thotë se janë vendosur kontaktet për mbylljen e këtij problemi pasi dygjuhësia është obligim kushtetues.

“Jemi në kontakt me ministrat dhe parlamentarët shqiptar, pasi ligji për mbishkrimet dhe emërtimin e rrugëve, urave dhe shesheve duhet të plotësohet me një pikë shtesë. Besojmë se me korrigjimin e këtij ligji, problemi me zbatimin e dygjuhësisë do të zgjidhet”, thotë Musliu.

Por, ndryshe nga ai vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike, sipas të cilëve, problemet me zbatimin e gjuhës shqipe janë të mëdha , jo vetëm me emërtimin apo mbishkrimet, por edhe në sfera tjera, si në dokumentet personale, në dokumentacionin e vetë Kuvendit, apo edhe në materialet e ministrive, përfshirë edhe qeverinë dhe institucione tjera.

Nga BDI-ja nuk japin përgjigje nëse do të ketë nismë nga ana e saj për ndryshime ligjore. Pas formimit të qeverisë së re, drejtuesit e saj kishin deklaruar se prioritet kanë zhbllokimin e procesit integrues dhe se vetëm pas rrumbullakimit të kësaj agjende do ti qasen çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese thotë se gjuha shqipe duhet të gjej zbatim shumë më të gjerë, si gjuhë e dytë zyrtare, pas maqedonishtes. Ai vlerëson se mangësinë në ligjin ekzistues lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, që nxisin debate, e madje edhe tensione ndëretnike.

Sipas Kadriut, miratimi i një ligji të posaçëm është domosdoshmëri për të hequr dilemat, nëse gjuha shqipe është ose jo zyrtare në Maqedoni.

“Ligji i përgjithshëm, pra ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të Maqedonisë ka mangësi të shumta andaj vlerësoj se nuk ka nevojë apo nuk mundet të ndryshohet ligji për qytetin e Shkupit pa u rregulluar çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në ligjin e përgjithshëm për gjuhët e bashkësive etnike, që sipas kushtetutës është obligim i Kuvendit. Pra, Kuvendi duhet ta kompletoj ose ta miratoj ligjin e ri duke u thirrur në amendamentin kushtetues, i cili e përkufizon gjuhën shqipe si gjuhë të dyte zyrtare në Maqedoni”, thotë Kadriu.