Putin: Krimeja ka “rëndësi të shenjtë” për Rusinë

Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij vjetor

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Krimeja ka “rëndësi të shenjtë” për Rusinë, dhe këtë territor të Ukrainës, që Moska e aneksoi në mars të këtij viti, e ka krahasuar me vendet e shenjta hebreje dhe myslimane në Jerusalem.

Mëtutje, gjatë fjalimit të tij vjetor për gjendjen e vendit sot në Moskë, zoti Putin ka theksuar se Rusia do ta respektoj Ukrainën si vend vëllazëror, por “tragjedia” në pjesën lindore të Ukrainës, tregon se politikat e Rusisë janë “të drejta”.

Presidenti rus, mëtutje e ka akuzuar perëndimin se po përpiqet ta copëtoj Rusinë, sikur Jugosllavinë në vitet e 90-ta, por ai konsideron se “ata kanë dështuar, ashtu sikur dështoi Hitleri”.

Mëtutje, ai i ka kritikuar planet e Shteteve të Bashkuara për mbrojtje raketore dhe tha se Rusia nuk do të tërhiqet në një garë të re të armatimit.

Fjalimi i Putinit është transmetuar direkt nga të gjitha kanalet televizive shtetëtore në Rusi.