Fëmijët me IQ të lartë, pa kujdes institucional

Ilustrim

Në Kosovë ka shumë fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme. Projekti Atom,që zbatohet nga qendra Encompass, ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me intelegjencë të jashtëzakonshme në Kosovë.

Jusuf Thaci, menagjer I këtij projekti,ka bërë të ditur se Atomi prej kur ka filluar punën në vitin 2011, ka identifikuar 115 fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme përmes testeve të standardizuara. Ai thotë se në këtë testim janë të përfshirë nxënësit e klasëve 8-12.

"Deri më tani projekti atomi ka pasur dy cikle dhe janë përzgjedhur 115 nxënës me intelegjencë të jashtëzakonshme nga e gjithë Kosova në mbi 20 komuna të ndryshme të Kosovës".

Zoti Thaçi ka theksuar se nxënësit të cilët identifikohen si fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme përfshihen menjëherë në aktivitete të ndryshme.

"Janë një varg aktivitetesh që ne organizojmë për fëmijët e përzgjedhur, si kampi veror e që ka aktivitete të ndryshme duke filluar nga kurset që kanë të bëjnë me shkenca ekzakte dhe shkenca sociale".

"Ofrohen këshillime të ndryshme varësisht nga nevoja. Si këshilla për psikologji për nevojat e tyre apo këshillim profesional për orientimin e tyre në karrierë. Nga viti i kaluar kemi filluar me shkollën plus të atomit, ku ofrohen kurse nga shkencat ekzakte dhe kurse sociale varësisht nga interesimi i nxënësve".

"Edhe profesorët më të mirë në vend angazhohen për këta fëmijë, ku përpos pjesës teorike ,mbahet edhe pjesa praktike për ta nëpër kabinete e laboratore të ndyshme, si dhe puna në teren si në fabrika të ndryshme", ka shtuar Jusuf Thaçi.

Mbikqyrësi profesional i projektit Atomi, Nait Vrenezi ,ka thënë se Peja dhe Prizreni janë vendet prej të cilave më së paku ka aplikues për testim në këtë projekt.

"Sa i përket shtrirjes gjeografike është e kënaqshme. Kemi aplikues nga 25 komuna duke përfshirë edhe komuna të vogla, qytetet kryesore rajonale, me përjashtim të Prizrenit dhe Pejës".

"Ndërkaq aplikimi në baza gjinore është 50 me 50 , pra gjinia mashkullore dhe ajo femërore", ka shtuar Vrenezi.

Sidoqoftë e gjithë kjo bëhet për nxënsit e klasëve të klasës së tetë deri në klasën e dymbëdhjetë, derisa për fëmijët më të vegjël të cilët kanë inteligjencë të jashtëzakonshme, nuk ka ndonjë mekanizëm që merret me ta.

Radio Evropa e Lirë ka intervistuar Nart Gërdovcin në vitin 2012 ,i cili ka qenë 8 vjeç atëherë dhe ka një shkallë të lartë inteligjence, prej 130 – 145, shkallë jashtëzakonisht e rrallë e asaj që njihet si IQ apo test i intelegjencës.

Narti ka pasion egjiptologjinë, astronominë, gjeografinë e matematikën.

Po iu sjellim sërish bisedën me nënën e Nartit, Ardita Gërdovci, e cila ka folur për Radion Evropa e Lirë.

"Narti në moshën 2 vjecare ka filluar të lexojë, pastaj në moshën 5 vjeçare e kemi dërguar tek specialistja e psikologjisë klinike, ku i kemi bërë testimin Nartit dhe ka rezultuar testi me 130 -145 pikë, është fjala për aftësitë e përgjithshme".

"Sa i përket testit për aftësi speciale, kemi qenë në disa seanca, por nuk kanë arritur psikologët me u konsolidu. Une po flas gjithsesi me fjalë të psikologes, pasi që thotë nëse verbalisht është më i avansuar, numerologji duhet të jetë më i dobët. Por Narti ka rezultuar suksesshëm në të dyja anët", është shprehur Gërdovci.

Sociologët në vend thonë se fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme duhet përkrahur nga institutcionet e vendit, në mënyrë që ata të pregatiten sa më herët për lëmi të caktuara ku ata shprehin interesim, derisa thonë se në Kosovë nuk ndodhë një gjë e tillë.

"Mjerisht në Kosovë nuk kam hasur se ka intersim të natyrës së përkrahjes së fëmijëve me inteligjecë të jashtëzakonshme, përveq disa organizatave joqeveritare që bëjnë përpjekje që t'i stimulojnë përmes disa fondeve nga institutcionet apo shoqëria civile ndërkombëtare".

"Në një vend normal do duhej t'i kushtojnë vëmendje më të madhe fëmijëve që kanë inteligjecncë mbi mesatare. Sa më herët që zbulohen këta fëmijë u përkushtohet dhe u jepet një prioritet dhe përgatiten për lëmi përkatëse", ka thënë Fadil Maloku, sociolog.

Sidoqoftë zyrtarë në projektin Atom thonë se po synojnë që këtë shtrirje ta zgjerojnë deri tek fëmijëria e hershme.