Thellohet varfëria në Maqedoni

Pamje nga Shkupi, foto nga arkivi

Biljana Jarcevska, drejtoreshë e qendrës ndërkomunale për çështje sociale, bën të ditur se rreth 4 mijë persona çdo ditë ushqehen në kuzhinat popullore të cilat janë të hapura për kategorinë më të rrezikuar në shtet.

“Për kategorinë më të rrezikuar që përfshinë personat e moshuar , si dhe personat e rrezikuar në aspektin social me vendim të qeverisë që nga viti 2007 janë hapur kuzhinat popullore që paraqesin ndihmë të madhe për këtë pjesë të shoqërisë".

"Në Shkup funksionojnë 9 qendra ku ndahet ushqim për kategorinë më të rrezikuar të popullatës, gjersa në tërë territorin e Maqedonisë funksionojnë 47 kuzhina popullore në të cilat ushqehen 3973 persona”, bën të ditur Biljana Jarcevska.

Ndërkohë sociologët dhe psikologët thonë se duhet të bëhet dallim ndërmjet perceptimit për varfëri, përkatësisht qyetarët e Maqedonisë si e përjetojnë dhe si e ndjejnë varfërinë dhe matjen metodologjike të varfërisë.

Viktoria Vujoviq neuropsikiatre, thekson se varfëria në Maqedoni nga një pjesë e madhe e qyetarëve nuk shihet si turp që duhet përshkruar politikave të gabuara ekonomike të shtetit, por për atë pjesë qytetarëve që i përkiste shtresës sëmesme e cilaishte në numër më të madh para dy dekadash, shihet si dështim personal.

“Në njërën anë shohim një përqindje të vogël të njerëzve me pasuri marramendëse, me shtëpi luksoze fëmijët e të cilëve posedojnë vetura shumë të shtrenjta,dhe nga ana tjetër pjesa më e madhe e qyetarëve,madje mbi 50% e popullatës mezi arrinë të siguroj kushtet elementare për ekzistencë,të cilët njëherësh pos varfërisë janë në një luftë permanente me turpin, se nuk arrijnë t`ia dalin për të mbijetuar".

"Më duhet të theksoj se kategoria më e ndjeshme nuk janë invalidët por personat e moshuar, të cilët e kanë vështirë të flasin hapur se dinjiteti i tyre është thyer, jetojnë me shumë pak ushqim , pa ngrohje e mos të flasim për jetë kulturore, këta njerëz para një ose dy dekadave kishin një jetë solide të cilën se kanë më”, thekson Viktoria Vujoviq.

Ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se hendeku mes qyetareve të varfër dhe atyre qe janë të pasur, gjithnjë e më shumë thellohet jo vetëm për shkak të shkallës së lartë të papunësisë por edhe pamundësisëqë me pagat mujore të cilat janë shumë të ulëta, të mbulohen harxhimet themelore, për jetesë.

“Politikat tatimore, politikat sociale skajshmërisht janë të gabuara meqë favorizojnë një pjesë të vogël të shoqërisë, duke rritur nga dita në ditë numrin e atyre të cilët mezi arrijnë të mbijetojnë, përkatësisht nuk arijnë të sigurojnë as gjërat më elementare për ekzistencë” ,thekson ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë Petar Goshev, duke shtuar se në Maqedoni është në rritje numri i atyre që të ardhmen e shohin jashtë vendit ose shëndrrohen në lypës aktiv.

Ndërkohë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se shkalla e varfërisë mund të ulet vetëm përmes investimeve në rajone të caktuara të vendit, konform specifikave që kanë dhe jo koncentrimit të investimeve jokapitale vetëm në kryeqendër.

“Duhet fokusuar në specifikat zhvillimore për çdo rajon në veçanti, duke analizuar dhe shfrytëzuar mundësitë për çdo rajon që posedon. Dhe më e rëndësishmja është të subvencionohen jo ata sektorë të cilët kanë qënë para bankrotit, duke i kyçur në realizimin e projektit "Shkupi 2014", por duhet të subvencionohen ata sektorë të cilët janë të orientuar kah eksporti, sepse ata jo vetëm që krijojnë vende të reja pune por drejpërdrejtë kontribujnë në zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson Visar Ademi.