Sëmundjet e mushkërive marrin 1,000 jetë në vit

Ilustrim

Këtë vit në klinikën e pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë hospitalizuar 391 pacientë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë llogaritet se 50 milionë njerëz vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, kurse çdo vit vdesin 3 milionë njerëz.

Në bazë të hulumtimeve shkencore, mendohet se në vitin 2020, sëmundjet pulmonare do të jenë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë.

Iliriana Raça Bunjaku, drejtoreshë e Klinikës së Pulmologjisë, thotë se sëmundja e mushkëriveështë shumë e përhapur. Ajo përmend edhe faktorët që ndikojnë në këtë sëmundje.

"Është sëmundje e përhapur dhe faktorët e rrezikut janë pirja e duhanit si dhe ndotja e ambientit gjegjësisht rrethit ku jetojmë.Ecuria e sëmundjes fillon shumë ngadalë, zgjatë me dekada dhe vetë të sëmurët nuk e dinë , derisa sëmundja avancon deri në mënyrë drastike ku edhe përfundon me vdekje", ka shtuar Raça.

Të mërkurën me 19 nëntor, po shënohet Dita Ndërkombëtare e Sëmundjeve Pulmonare Obstruktive- Kronike (SPOK)

Me këtë rast, mjekët e Klinikës së Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Pulmologëve të Kosovës,po shënojnë këtë ditë me disa aktivitete për vetëdijesimin e qytetarëve.

E qytetarët nuk kanë shumë njohuri për këto sëmundje.

Ramadan Sejdiu, ekonomist, thotë se këto iniciativa për vetëdijësim janë më se të nevojshme.

"Përgjithësisht pak dimë për sëmundjen e mushkërive. Mendoj se pjesa rurale dinë pak për këtë sëmundje, derisa pjesa urbane ndoshta pak më shumë. Por shumë mirë që po ka iniciativa të tilla për vetëdijesimin e popullatës. Unë jam ekonomist me profesion dhe nuk merrem vesh shumë nga medicina, por duhani, alkooli e di që ndikojnë në sëmundjen e mushkërive".

Skender Baca, pulmolog, thotë se në Kosovë vdesin rreth një mijë persona në vit, nga sëmundja e mushkërive.

"Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i kësaj sëmundje, dhe ne mbajmë rekordin e duhan-pirjes. Qytetarët e Kosovës në ditë shpenzojnë rreth gjysmë milion euro për duhan, në një vend ku llogaritet të jenë rreth 2 milion banorë. Mendoj që duhet ti kushtojmë rëndësi të veçantë në të ardhmen kësaj çështjee pastaj do të vijmë deri tek zvogëlimi i numrit të personave që preken nga sëmundja e mushkërive".

Ai ka shtuar se popullata duhet të vetëdijesohet për shkaktarët që ndikojnë në sëmundjen e mushkërive.

"Rreth një mijë persona vdesin për një vit në Kosovë .Ky numër i projektuar dhe i llogaritur,nëse krahasohen me vendet e botës del se është e njëjtë.Kosova prin me rekord në duhan pirje, dhe duhani është shkaktari kryesor i shfaqjes së sëmundjes së mushkërive, i cili shkakton invaliditet të lartë të pakthyeshëm dhe vdekshmëri të lartë", është shprehur Baca.