Qytetarët e zhgënjyer me liderët politikë

Pamje nga Prishtina

Kriza politike në Kosovë, ka lënë në margjina dy nga problemet më të mëdha, papunësinë dhe varfërinë.

Një gjendje e tillë, kur ka zvarritje të formimit të institucioneve dhe mos adresim të problemeve, sipas sociologëve ka ndikuar që pakënaqësitë e qytetarëve të shënojnë rritje.

Raporti i fundit i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në një anketë të bërë me qytetarë të Kosovës, ka vënë në pah se 79 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se janë ose të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin ekonomik dhe social në të cilën po shkon vendi.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë vlerëson se qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me liderët politikë, të cilët siç thotë ai, nuk ofruan zgjidhje të problemeve me të cilat qytetarët ballafaqohen.

“Pakënaqësia e qytetarëve për zhvillimet në përgjithësi në Kosovë nuk është e re. Kjo pakënaqësi lidhet kryesisht me varfërinë dhe papunësinë, në veçanti te të rinjtë, dhe sidomos me mungesën e perspektivës së tyre. Qytetarët e kanë vërejtur se lidershipi është pozicionuar për të siguruar vendet e tyre udhëheqëse në institucionet e Kosovës”, vlerëson profesor Reçica.

Lufta për pushtet që po bëhet nga liderët politik, shton Reçica i ka irrituar qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, qytetarët tashmë e kanë parë se liderët politikë para së gjithash po mendojnë për pozita udhëheqëse dhe shumë pak për qytetarët.

“Qytetarët janë bërë imunë në këtë gjendje dhe nuk po shohin një lidership që do t’i drejtonte në një rrugë të mirë dhe do t’i jepte udhë pakënaqësive të tyre”, thekson ai.

Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë. Nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.

Këto norma alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës.

Në varfëri të skajshme jetojnë 12.1 për qind të popullsisë, derisa janë 217 mijë kosovarë që jetonin me më pak se 1 euro në ditë.

Profesor Ismajl Hasani, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një shoqëri më të gjithë këto trende negative ekonomike dhe sociale, është e natyrshme rritja e pakënaqësive.

“Është legjitime rritja e pakënaqësive e qytetarëve në një shoqërinë të cilën ka devijuar shumë çka në ndërtimin institucional. Në një vend ku ka shifra alarmante për korrupsion për keqpërdorim të parasë publike ka edhe investigime për korrupsion në nivel më të lartë të mbikëqyrjes ndërkombëtare të rendit dhe legjitime, është legjitime që njerëzit të jenë të pakënaqur”, shprehet ai.

Kriza politike në Kosovë po vazhdon gati që gjashtë muaj. Mos konstituimi i institucioneve është vlerësuar se po e fut Kosovën në një krizë politike, financiare e buxhetore.