Sheshel: Do ta rrëzojmë qeverinë

Beograd, 15 nëntor 2014.

Rreth 3,000 njerëz janë mbledhur në qendër të Beogradit, në një protestë antiqeveritare të organizuar nga ultranacionalisti serb, Vojisllav Sheshel.

Sheshel, i cili përballet me akuzat për krime lufte, është kthyer të mërkurën nga Tribunali i Hagës, pasi gjykata e Kombeve të Bashkuara e ka liruar atë për shkaqe shëndetësore.

Ai ka thirrur protestën një ditë pasi është kthyer, duke kërkuar “mobilizim masiv të patriotëve serbë kundër qeverisë aktuale pro-perëndimore”.

“Nuk do të presim që të përfundojë mandati i plotë i kësaj qeverie. Ne do të kemi zgjedhje vitin e ardhshëm”, u ka thënë Sheshel të tubuarve.

Mbështetësit e tij kanë valvitur flamuj të Serbisë, së bashku me fotografi të Sheshelit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Qeveria e Serbisë kryesohet tani nga presidenti Tomisllav Nikolliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.

Të dy ata kanë lënë Partinë e Sheshelit më 2008 dhe kanë formuar Partinë Përparimtare Serbe.

Sheshel akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Kroaci.