Zëdhënësja e Mogherinit, e martuar me një lobues të Gazprom-it

Fotografia e martesës së zëdhënëses së Mogherinit me lobuesin e Gazprom-it rus.

Zëdhënësja kryesore e shefes së re të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, është e martuar me partnerin e një kompanie për marrëdhënie publike në Bruksel, e cila lobon për gjigantin rus të gazit, Gazprom.

Zëdhënësja Catherine Ray është martuar me Thomas Barros-Tastets në Francë, më 19 tetor të vitit 2013. Barros-Tastets është partner në kompaninë G+, dega në Bruksel.

Biografia e tij online thotë se ai “ndihmon për të koordinuar pjesën evropiane të një konsorciumi të gjerë botëror, i cili këshillon një kompani të madhe ndërkombëtare të energjisë për komunikim dhe çështje publike”.

Edhe pse emri i “kompanisë së madhe ndërkombëtare të energjisë” nuk përmendet, Barros-Tastets përmendet shpesh në media si “këshilltar i Gazprom-it për çështjet publike evropiane”.

Në një njoftim nga gushti i vitit 2013 për emërimin e tij si partner në G+, thuhet se ai është “këshilltar në Gazprom për marrëveshjet me autoritetet evropiane të konkurrencës”.

Barros-Tastets është parë në shoqërinë e ministrit rus të Energjisë, Aleksandr Novak, më 29 tetor në Bruksel. Novak ka qenë atje për negociatat e gazit me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, i cili ka marrë pjesë në procesin e verifikimit të zonjës Ray në pozitën e saj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në një përgjigje të shkruar se Ray e ka informuar BE-në për aktivitetet profesionale të bashkëshortit të saj, përfshirë edhe punën e tij në Gazprom.

“Ray ka ndjekur procedurën e etikës siç kërkohet nga Komisioni Evropian”, ka thënë Schinas.

Ai ka shtuar se Mogherini “ka qenë e përfshirë” në procesin e zgjedhjes së Rayt, porse nuk e ka emëruar atë.

Schinas ka thënë se Ray është e ngarkuar që të flasë për Afrikën, Amerikën Latine dhe vendet e Gjirit. Zëdhënësja tjetër, Maja Kocijançiq, flet për Mogherinin në lidhje me çështjet evropiane, përfshirë Rusinë.

“Andaj, ne nuk besojmë se ka konflikt të mundshëm të interesit”, ka thënë Schinas.Ray i ka refuzuar kërkesat për të komentuar këtë çështje.

Ish-ministrja e Jashtme e Italisë, Frederica Mogherini, ka qenë një zgjedhje e diskutueshme për të zëvendësuar Catherine Ashtonin në postin e shefes së politikës së jashtme të BE-së. Kritikët e kanë parë atë si të papërvojë në politikë dhe të butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

“Kam qenë veçanërisht i shqetësuar me atë që duket të jetë dobësia e saj me Putinin. Ajo duket se e pëlqen Putinin dhe nuk e sheh botën nga perspektiva e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo i sheh gjërat nga këndvështrimi rus”, thotë Eduard Lucas, redaktor në gazetën “The Economist”.

Lucas dhe vëzhguesit e tjerë të BE-së kanë thënë se posti i politikës së jashtme duhet t’i jepej dikujt nga Evropa Qendrore, si Radek Sikorski, kryetari i Parlamentit të Polonisë, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Jashtëm i këtij vendi.

Mogherini, 41 vjeçare, është një politikane relativisht e papërvojë, e cila është emëruar Ministre e Jashtme e Italisë në muajin shkurt, nga kryeministri Matteo Renzi. Vetëm pak muaj më vonë, Renzi ka lobuar fuqishëm dhe me sukses në BE që ajo ta zëvendësojë Ashtonin.

Renzi ka qenë i vetmi kryetar i një qeverie evropiane, i cili ka argumentuar kundër forcimit të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të rolit të saj në Ukrainë, në samitin e BE-së në Bruksel, në muajin tetor.

Catherine Ray punon në fushën e komunikimit në Bashkimin Evropian që nga viti 2000.

Përgatiti: Valona Tela