Tetova proteston kundër ndotjes së ajrit

Protesta kundër ndotjes së ajrit në Tetovë

Disa qindra qytetarë nga rajoni i Pollogut me moton “ajër për Tetovën” sot kanë protestuar kundër vendimit të Qeverisë së Maqedonisë që t`i jepet një afat shtesë prej dy vitesh gjigantit metalurgjik Jugohrom, për vendosjen e filtrave në oxhaqet e fabrikës, ngase siç kanë theksuar përfaqësuesit e Lëvizjes për Mbrojtjen e Ambientit Jetësorë EcoGuerilla, Tetova mbetet qyeti më i ndotur në Evropë.

Xhelal Neziri, aktivist për mbrojtjen e ambientit, për Evropën e Lirë ka theksuar se është koha e fundit që Qeveria dhe organet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura për ta ndaluar ndotjen kancerogjene të rajonit të Tetovës.

“Nuk e themi vetëm ne si aktivistë për mbrojtjen e ambientit, por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konstatuar se ndotja e ambientit nga oxhaqet e kësaj fabrike është kancerogjene. Edhe statistikat dëshmojnë se numri i të sëmurëve nga kanceri në rajonin e Tetovës është në rritje".

"Sa për ilustrim, nga viti 2010 deri në vitin 2013 është dyfishuar numri i personave të diagnostifikuar me kancer, nga 1300 sa ishin tre vite më parë tani kemi 2400 qytetar të prekur nga kanceri, jo të gjithë kanë për bazë ndotjen e ajrit po 80% e tyre janë prekur nga kanceri në sistemin respiratorë”, thekson Xhelal Neziri.

Ai më pas e ka cilësuar si shumë të pakuptimtë arsyetimin e Qeverisë për shtyrjen e mbylljes së afatit të Jugohrohimit, duke theksuar se kjo bëhet me qëllim të mos largimit të njëmijë punëtorëve që janë në marrëdhënie pune në këtë fabrikë.

“Më duhet të theksoj se keqpërdoret fati i punëtorëve që punojnë aty, ata keqpërdoren që të ngulfasin reagimin e shumicës së qyetarëve në këtë rajon. Ne kemi theksuar edhe një fakt se nuk protestojmë të mbyllet Jugohromi por protestojmë që të vendosen filtrat, sepse nuk ka asnjë garancion se brenda dy vitesh do të përmbushen standardet", është shprehur për mediat, ministri Neziri.

Edhe Ratko Davitkoski mjek specialist për higjienë dhe shëndetësi ekologjike nga Tetova, thekson se është në rritje numri i pacientëve të cilët kanë probleme me sistemin respiratorë si pasojë e ndotjes së ajrit në këtë rajon.

“Në ordinanca janë të pranishëm pikërisht ata pacientë të cilët kanë problem me sistemin respiratorë, kjo paraqet një tregues shumë të rëndësishëm se diçka po ndodh me ajrin në këtë rajon pa pasur nevojë të kontrollohen të dhënat nga qendrat për monitorim e gjendjes së ajrit”, thekson Ratko Davitkoski.

Ndërkohë në pah kanë dalë edhe përplasjet mes partnerëve të koalicionit qeveritarë VMRO DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, lidhur me mbylljen e kombinatit metalurgjik Jugohrom.

Ministri i Ekologjisë Nurhan Izairi, ka theksuar se dikasteri të cilin e drejton ai, në mbledhjen e qeverisë ka kundërshtuar dhënien e afatit shtesë për mbylljen e Jugohromit .Por, qeveria ka vendosur që kombinati të mos mbyllet duke i dhënë edhe një mundësi. Ai është shprehur se mirëkupton revoltën e shoqatave ekologjike dhe të gjithë atyre të cilët kanë ngritur zërin kundër ndotjes.

“Unë i respektoj të gjithë zërat, i respektoj të gjithë ata që shprehin revoltë dhe njëkohësisht që shprehin brenga për ndotjen e ambientit dhe ajrit në Tetovë. Edhe unë jam njëri nga ata që kam brenga të fuqishme".

"Ne si ministri kemi propozuar që të mos i shtyhet afati, mirëpo siç thash, qeveria sjellë vendime duke pasur parasysh edhe aspektet sociale, ekonomike e kështu me radhë dhe përfundimisht solli ashtu siç e solli vendimin”, ka sqaruar Izairi.

Ndryshe Lëvizja EcoGuerilla nga Tetova, gjithashtu sot nga Qeveria ka kërkuar që urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogut, njëherit është kërkuar që të subvencionohen me 33 % faturat e rrymës gjatë sezonit të ngrohjes, me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të lëndëve djegëse, si drunjve dhe qymyrit.

Ndonëse, pas Tetovës shkallë e lartë e ndotjes së ajrit gjatë muajit të kaluar është regjistruar edhe në më shumë qytete të Maqedonisë, për këtë arsye organizatat joqeveritare ditë më parë organizuan protesta edhe në Manastir, si pasojë e ndotjes së ajrit nga termocentrali RekBitolla.

Në Shkup autoritete përmes fushatave të ndryshme, nxisin qytetarët t`u largohen përdorimit të automjeteve personale dhe të përdorin trafikun urban, si dhe mos të përdorin si lëndë djegëse goma dhe mjete të tjera të ndryshme nga plastika.