Jacobson e ashpër me lidershipet e partive

Tracey Ann Jacobson

Politikanët në Kosovë janë ata që duhet të gjejnë vet zgjidhjen për formimin e institucioneve të reja, ka deklaruar ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Ajo e ka përjashtuar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërhyjnë për të zgjidhur krizën aktuale.

Këto komente, ambasadorja amerikane i ka bërë në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL, me temën: “Sfidat dhe toleranca fetare në Kosovë, lufta kundër korrupsionit si dhe zhvillimet e fundit politike të pas zgjedhjeve të 8 Qershorit”.

Jacobson u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë zgjidhje brenda Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Dalja nga kriza aktuale, sipas ambasadores amerikane, mund të jetë te komunikimi mes partive politike, për çka i ka ftuar partitë politike dhe liderët e tyre që të pranojnë ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për takim të përbashkët.

“Koha e marifeteve politike ka marrë fund. Kemi një situatë ku e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se PDK-ja e ka të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por e di që edhe koalicioni e ka një marrëveshje ku parashihet që Isa Mustafa të jetë kryetar i Kuvendit kurse Ramush Haradinaj kryeministër", ka theksuar Jacobson.

Ndërsa ka njohur të drejtën për protesta paqësore, ajo nuk e ka pëlqyer idenë që marrëveshja e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje të tentohet të zbatohet përmes protestave.

"Thirrja e njerëzve që të dalin në rrugë, ngase kjo marrëveshje nuk po funksionon është një marifet politik që nuk lëviz përpara asgjë", ka theksuar Jacobson.

Ajo i ka rikujtuar liderët e partive politike se me vonesat e tyre po rrezikojnë krizë buxhetore, pastaj ndryshimet e nevojshme ligjore e kushtetuese e deri tek zvarritjen në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Gjykatës Speciale.

Këto vonesa, sipas saj, po e zbehin edhe interesimin e Uashingtonit, prej nga ajo tha se kryesisht ka heshtje dhe më nuk pyesin se përse po vazhdon kaq gjatë krijimi i institucioneve.

Një pjesë të fjalimit, Jacobson ia kushtoi edhe korrupsionit dhe përfshirjes së liderëve politik në afera e raste korruptive.

Ajo ka thënë se asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, qoftë ajo në pushtet apo partitë e bllokut, pasi që disa prej liderëve apo zyrtarëve të tyre janë të përfshirë në raste të dyshuara për korrupsion.

“Unë dëgjoj politikanët që flasin për këtë dhe ai bëjnë me gisht ndaj njëri-tjetrit për korrupsion. Por, jo, unë mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ka korrupsion në tërë spektrin politik, por jo vetëm tek politikanët, por janë edhe njerëzit e tjerë të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive”, është shprehur Jacobson.

Ambasadorja amerikane e ka cilësuar korrupsionin si një nga pengesat më të mëdha të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

Në këtë debat, Jacobson ka folur edhe për tolerancën ndër fetare në Kosovë, të cilën ajo tha se e preferon më shumë që ta quan diversitet.

“Kosova është shtet multietnik, ka traditë të gjatë të islamit, të krishterimit dhe të ortodoksizmit. Është një përzierje e ndërlikuar por shpresoj se duke ecur përpara do të kemi më shumë përkrahje për organizatat religjioze për shembull, siç është ligji i cili iu lejon regjistrimin si organizata religjioze”, është shprehur ajo.

Ndërkaq lidhur me ekstremizmin fetar dhe rastet e ikjes së personave të caktuar për të luftuar në Irak apo Siri, Jacobson i ka cilësuar si të dhimbshme dhe ka mbështetur hapat që institucionet e vendit i kanë ndërmarrë për luftimin e këtyre dukurive.

Në përgjithësi, ajo ka vlerësuar se "fryma e islamit radikal nuk është pjesë e islamit në Kosovë", por është sjellë nga jashtë apo është e importuar .