SHBA, zgjedhjet për Dhomat e Kongresit

Ilustrim nga zgjedhjet e kaluara më 2010

"Zëri i Amerikës"

Në zgjedhjet që zhvillohen të martën në SHBA, votuesit do të vendosin se cila parti do të ketë kontrollin e dhomave të Kongresit gjatë dy viteve të fundit në detyrë të Presidentit Barack Obama. Të dyja partitë kryesore po konkurrojnë ashpër për të motivuar votuesit dhe për të rritur nivelin e pjesëmarrjes në votim. Korrespondenti Michael Bowman i Zërit të Amerikës vizitoi bashkinë Fairfax, të shtetit Virginia, fare pranë kryeqytetit, për të parë përpjekjet në terren dhe nismat që synojnë mobilizimin e votuesve.

Ndërkohë që reklamat e fushatës po mbizotërojnë transmetimet televizive, kandidati republikan për në Kongres, Micah Edmond ka një përqasje më personale; ai ecën përgjatë një lagjeje veriore të Virxhinias duke trokitur derë më derë dhe duke shpërndarë broshura për të tërhequr vëmendjen e votuesve.

Shpesh është e vështirë.

“Do të doja votën tuaj,” i thotë një votuesi.

“Do të më pëlqente, por unë nuk i votoj republikanët,” përgjigjet qytetari.

Aty pranë, zyrat lokale të demokratëve dhe të republikanëve gumëzhijnë nga aktiviteti. Vullnetarët ndihmojnë stafin të përgatisin materiale nxitëse dhe të përdorin lista telefonike për të kontaktuar banorët vendas.

“Periudha e bindjes së votuesve ka mbaruar. Tashmë synohet të nxirren njerëzit për të votuar”, shprehet drejtori i komitetit demokrat të Fairfax-it, Frank Anderson, i cili e di që duhen mobilizuar mbështetësit e partisë së tij.

“Një entuziazëm i ulët do të thotë pjesëmarrje e ulët. Nëse krijon entuziazëm të lartë, atëherë ai përhapet,” shton ai.

Republikanët kanë avantazh në zgjedhjet e mesit të mandatit kur nuk ka një garë presidenciale, shprehet Frank Newport i firmës së sondazheve Gallup.

“Anojnë nga moshat e vjetra, ndërkohë që demokratët janë më të rinj, dhe në SHBA janë të vjetrit që votojnë më shumë. Republikanët janë më të arsimuar dhe kanë më shumë gjasa të votojnë. Çdo kandidat demokrat e di se problemi i tij më i madh është si t’i bëjë demokratët të votojnë.”

Niveli në rënie në sondazhe për Presidentin amerikan, Barack Obama, nuk po i ndihmon demokratët në terrenin politik. Në dallim, republikanët mezi presin ta ngadalësojnë zotin Obama nëpërmjet një Kongresi republikan, shprehet kryetari i komitetit republikan të Fairfax, Matt Ames.

“Entuziazmi i votuesve është gjithnjë kyç pasi ndikon tek pjesëmarrja në votim. Votuesit republikanë janë të etur, si i gjithë vendi, për një ndryshim.”

Demokratët thonë se kanë avantazh nëpërmjet nxitjes së votuesve.

“Në lojën në terren, ne jemi në avantazh. Ne kontaktojmë më shumë votues. Ne përqëndrohemi më shumë në konktaktin personal me votuesin,” thotë Frank Anderson.

“Ka një ndjesi të përgjithshme se demokratët luajnë më mirë në terren. Mendoj se po i arrijmë”, shprehet kryetari republikan.

Të dyja partitë janë përqëndruar në maksimalizimin e votimit të hershëm dhe të atij me postë. Vullnetarë demokratë dhe republikanë përshëndesin votuesit jashtë një librarie ku një rrjedhë njerëzish vijnë të marrin pjesë në votimin e hershëm, një praktikë që përdoret në shumë shtete.

“Republikanët e patundur po dalin të votojnë”, thotë një vullnetare republikane.

“Nuk do t’i lë miqtë e mi pa votuar, pavarësisht se për kë votojnë,” shprehet Susan Boggs, vullnetare e Partisë Demokrate.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme është mesatarisht një e treta më e ulët sesa gjatë garave presidenciale.

“Është e turpshme. Nuk duhet të ankohesh nëse nuk ke dalë për të votuar”, thotë një votues në Virxhinia.

Ky është një mesazh për të cilin bien dakort të dyja partitë. Ditën e martë do ta mësojnë se cila palë ka mbledhur më shumë vota.

* Ky material u publikua fillimisht në VOA Shqip