Të rinjtë në Maqedoni, qasje të lehtë te narkotikët

Bosnia-Herzegovina - narcotics, drugs, heroin, cocaine, llustrative photo, undated

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë është duke ndërmarrë më shumë aksione kundër tregtisë së paligjshme të mjeteve narkotike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, bën të ditur Ivo Kotevski, zëdhënës i dikasterit të policisë.

Ai thotë se nga 1 janari i këtij viti deri në fund të muajit shtator janë arrestuar 130 persona, ndërsa janë konfiskuar 515 tonë lëndë narkotike.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të komptencave me të cilat disponon, përpiqet që t`i shfrytëzojë maksimalisht të gjitha ingerencat për të zbuluar dhe njëherësh sanksionuar të gjithë ata që në mënyrë të paligjshme kanë lidhje me lëndë narkotike”, thotë Kotevski.

Stefan Buxhakoski, ish-përfaqsues i Sektorit për Kundërzbulim në Maqedoni, konsideron se të rinjtë në vend e kanë shumë të lehtë gjetjen e mënyrave për të arritur deri te mjetet narkotike.

Ai shton se, kohën e fundit, pos drogave tradicionale, një pjesë e tyre konsumojnë dhe droga kimike, të cilat përpunohen në laboratore të improvizuara në vendet e rajonit.

“Dukuria e përdorimit të mjeteve narkotike është gjithnjë e më e pranishme në mesin e të rinjve. Por, më e keqja është se kemi të bëjmë me faktin se në mesin e të rinjve përdoren dhe drogat kimike, të cilat paraqesin kërcënim për shëndetin, si pasojë e cilësisë së dyshimtë, ngase ato prodhohen në laboratore të improvizuara, në shumë vende të Ballkanit, pa kurrfarë standardi”, thotë Buxhakoski, ligjërues për çështjet e sigurisë në Universitetin e Shkupit.

Ndërkohë, Arben Taravari, nga Qendra e Neurologjisë në Shkup, vlerëson se numri në rritje i të rinjve që përdorin lëndë të ndryshme narkotike ka të bëjë me më shumë faktorë - në plan të parë depresionin që kap një pjesë të madhe të shoqërisë, si pasojë e mundësive të limituara.

“Duket se është trend për të rinjtë, që për të kaluar fazat e depresionit, të cilat janë të pranishme në këtë moshë, të përdorin droga të ndryshme. Pastaj, e dini se të rinjtë janë të prirë që të provojnë gjithçka që u ofrohet nga shokët e moshës së njëjtë, pa menduar për pasojat”, thotë Taravari, profesor universitar, duke shtuar se shoqëria në Maqedoni akoma heziton të flasë hapur për problemin e varshmërisë nga lëndët narkotike, dukuri kjo që duhet trajtuar që në shkollën fillore.

“Kam përshtypjen sikur ne e neglizhojmë orën e kujdestarisë, kur kujdestari i klasës duhet të flasë për varshmëritë e ndryshme, përfshirë këtu dhe përdorimin e lëndëve të ndryshme narkotike”, thotë Taravari.