Fundi i ndarjes “portokalltë-blu” në Ukrainë

Kiev

Në zgjedhjet e 26 tetorit në Ukrainë, qytetarët duket se janë të gatshëm të sjellin një konfiguracion të ri politik. Dhe, në të njëjtën kohë, të thyejnë paradigmën e vjetër të një vendi pa shpresë të ndarë, midis perëndimit pro-evropian dhe lindjes pro-ruse.

Fundi i ndarjes së vjetër “portokalltë-blu” është rezultat i konfliktit të dhunshëm separatist në lindje.

“Tani këto ndarje janë zvogëluar nga kjo luftë dhe nga perceptimi i shumë ukrainasve rusishtfolës, të cilët, edhe pse mund të kenë pasur mendim pozitiv për presidentin Putin një vit më parë, tani mendojnë se kjo luftë drejtohet dhe mbështetet nga Rusia”, thotë Andreas Umland, profesor në Akademinë Mohyla të Kievit.

“Madje, edhe shumë rusë etnikë, të cilët janë shtetas të Ukrainës, po bëhen patriotë ukrainas në kuptimin e plotë të fjalës”, shton ai.

Zgjedhjet nuk do të prodhojnë një parti dominuese, por një bllok solid në favor të integrimit evropian dhe të matur ndaj qëllimeve të Moskës.

Thirrjet e vjetra të Rusisë për solidaritet etnik me rusishtfolësit ukrainas janë gjithnjë e më boshe, po ashtu.

“Çështja e gjuhës dhe identitetit është përdorur dhe keqpërdorur në Ukrainë për shumë e shumë vite. Ukrainasit janë shumë më të bashkuar në çështjet e sigurisë. Mendoj se çështja e sigurisë tani është numër 1”, thotë Natalya Churikova, redaktore në Shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë.

Pak votues në rajonet tradicionale rusishtfolëse të Donjeckut dhe Luhanskut pritet të marrin pjesë në zgjedhje, për shkak të konfliktit separatist në rajon. Ngjashëm, as qytetarët në rajonin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Moska në muajin mars, nuk do të hedhin votat e tyre.

Megjithatë, në mesin e votuesve në ato pjesë të Ukrainës, që janë nën kontrollin e Kievit, duket se ka konsensus, duke përfshirë madje edhe rusët etnikë dhe rusishtfolësit.

Fondi Kundër Korrupsionit në Rusi, i udhëhequr nga politikani opozitar, Aleksei Navalny, ka kryer një anketë në muajin shtator me votuesit në Odesa dhe Kharkiv – të dyja këto qytete me shumicë rusishtfolëse, të cilat dikur janë konsideruar kandidate për t’iu bashkuar projektit pro-rus "Novorossia" apo Rusia e Re.

Por, sipas sondazhit, 34 për qind e të anketuarve duan ta shohin të ardhmen e Ukrainës të lidhur me Evropën, 17 për qind preferojnë lidhje më të afërta me Rusinë dhe 17 për qind i kundërshtojnë të gjitha, duke thënë se “Ukraina duhet të jetë shtet i pavarur”.

Vitaly Bala, udhëheqës i Agjencisë për Modelim të Situatës, institut në Kiev, pajtohet se konflikti në lindje të Ukrainës dhe perceptimi se Rusia duhet fajësuar për të, kanë shkaktuar një ndryshim të madh në skenën politike të Ukrainës.

“Si rezultat në këto zgjedhje, partitë që janë pro-evropiane do të marrin shumicën. Ky është një ndryshim thelbësor. Dhe, ka shumë të ngjarë që kjo situatë të mos ndryshojë për një të ardhme të parashikueshme”, thotë Bala.

Partitë dhe lëvizjet që kanë mbështetur ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, tani luftojnë për mbijetesë të thjeshtë politike.

Sipas analistit Umland, nuk është se rusët etnikë në Ukrainë nuk e pëlqejnë më Rusinë; ata thjesht refuzojnë Vladimir Putinin.

“Problem këtu në fakt është vetë Putini dhe sistemi që ka krijuar gjatë 15 vjetëve të kaluar. Të rinjtë aktivë e dinë këtë dallim. Ata mund të kenë qenë në Evropë. Ata e dinë se nëpër çfarë kanë kaluar Polonia, Sllovakia dhe Bullgaria – të gjitha këto vende që janë po ashtu të afërta me ukrainasit në aspektin etno-gjuhësor. Ata duan të kalojnë atë rrugë dhe jo atë ruso-euro-aziatike, apo sido që ta quani”, thotë Umland.

Sipas tij, ukrainasit e shohin Rusinë e Putinit si një “vend të izoluar, të çuditshëm dhe me një sistem të vjetër politik”.

Por, mediat ruse janë kujdesur që të minojnë legjitimitetin e procesit zgjedhor në Ukrainë.

“Shpejtoni! Rënie e çmimeve. Shitje e hapur e ulëseve në Kuvendin e Ukrainës. Në mesin e kandidatëve: vrasës, huliganë, hajdutë”. Kështu është thënë në një përmbledhje javore të lajmeve në Kanlin 5 të Rusisë.

Me gjithë shfaqjen e konsensusit pro-evropian në Ukrainë, sistemi politik mbetet i papjekur dhe i thyer. Ndarja portokalltë-blu mund të jetë në zhdukje, por çfarë përçarjesh dhe sfidash do ta zëvendësojnë atë, mbetet e paqartë. (v.tela)