Produktet e importit të zëvendësohen me ato vendore

Ilustrim

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë thonë se pa krijimin e kapaciteteve prodhuese nuk mund të arrihet zëvendësimi i produkteve të importuara me ato vendore. Sipas tyre, autoritetet e Kosovës duhet të tregohen më të vëmendshëm karshi kësaj çështjeje.

Burim Piraj, nga industria e mishit “Meka”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk mjafton vetëm ndjenja patriotike për të konsumuar produkte vendore, por duhet të ketë edhe faktorë të tjerë që do të ndihmojnë prodhuesin vendor, që ky i fundit të mund të konkurrojë me produktet që vijnë nga shtetet tjera.

“Që të shtohen prodhimet vendore, duhet të këtë qasje ndryshe ndaj prodhuesve vendorë. Si do të ishte ajo qasje? Politikat fiskale, në radhë të parë, të përmirësohen dhe të bëhen ndryshime duke mos humbur kohë; taksa për lëndën e parë të eliminohet në mënyrë që t’u mundësohet prodhuesve vendorë që të kenë lëndë të parë edhe më të mirë edhe me çmime më të arsyeshme që të konkurrojnë me produktet që importohen nga vendet e tjera”, thotë Piraj.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimi doganor, thonë pronarët e bizneseve, po vazhdojnë t’i rëndojnë prodhuesit vendorë.

Piraj tregon se bizneset prodhuese në Kosovë kishin kërkuar që në kuadër të ndryshimit të politikave fiskale, të largohen këto ngarkesa, pasi që si të tilla po i bëjnë jokonkurrentë me prodhuesit e vendeve të rajonit.

“Pikërisht çelësi është në dorën e Qeverisë së Kosovë, vetëm ajo mund të bëjë atë që ne po e kërkojmë në vazhdimësi. Me ndryshimin e politikave fiskale, me ndryshimin e qasjes, sigurisht do të shtohet konsumi i produkteve vendore dhe me shtimin e konsumit të produkteve vendore, shtohet edhe punësimi”, shton Piraj.

Aleanca Kosovare e Biznesit në Kosovë ka filluar javët e biznesit vendor, që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore.

Agim Shahini, përfaqësues i bizneseve, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kritikon autoritetet e Kosovës për mungesë të një strategjie, e cila, sipas tij, do ta avanconte rritjen e prodhimtarisë në vend.

“Kosovës i mungon një strategji për zhvillim ekonomik të përgjithshëm ku aty do të specifikohen fushat, të cilave duhet t’ iu jepej prioritet. Fushatat për konsumimin e produkteve vendore nuk duhet të jenë një muaj, por gjatë tërë vitit. Ne duhet t’i vetëdijësojmë konsumatorët që të përdorin produktet vendore”, thekson Shahini.

Me gjithë fushatat e ndryshme, produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e rreth 2 miliardë eurove.