Ndeshja Shqipëri-Serbi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016, e cila u mbajt në Beograd është pezulluar në minutat e fundit të pjesës së parë të lojës, për shkak të tensioneve në stadium.
Gjatë ndeshjes, e cila u zhvillua pa tifozët e kombëtares shqiptare, me rekomandimin e Federatës Evropiane të Futbollit, pas kërkesës së ekipit shqiptar, arbitri vendosi t'i largojë lojtarët e të dyja ekipeve nga fusha.
Lojtarët e kombëtares shqiptare janë kthyer në Tiranë të Shqipërisë, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Disa mijëra qytetarë të Tiranës, të qyteteve të tjera të Shqipërisë, e madje edhe nga Kosova, ishin mbledhur në aeroportin “Nënë Tereza “ në Rinas për të pritur ekipin kombëtar.
Në fjalën e tij përpara tifozëva nga aeroporti i Rinasit kapiteni I kombëtares shqiptare Lorik Cana tha se ishte krenar për gjithë ekipin.
"Në stadium jemi dhunuar edhe nga forcat e sigurisë”, tha Cana.
Ndonëse tensionet ishin të pranishme që nga fillimi i ndeshjes, ato kulmuan në kohën kur një lojtar i kombëtares serbe hodhi poshtë një flamur kombëtar shqiptar, me nënshkrimin “Autochtonous”, i cili valëvitej nga një fluturake e vogël e telekomanduar nga larg.
Kjo ka nxitur reagimin e lojtarëve të kombëtares shqiptare, dhe incidenti u pasua me ndërhyrjen e një numri tifozësh serbë në stadium.
Që nga fillimi i ndeshjes, tifozët e kombëtares së Serbisë dëgjoheshin teksa brohorisnin "Vrisni shqiptarët".
Pritet tani vendim i UEFA-s në lidhje me rezultatin e ndeshjes, ndonëse në rregulloren e saj saktësohet se nëse shënohen akte dhune në stadiumin dhe tifozerinë mikëpritëse, atëherë ekipi mik, merr 3 pikët e ndeshjes në tavolinë.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter shkroi:
“Krenar për Kuqezinjtë që për sa pati futboll fituan me lojë e me raste / Keqardhje për fqinjët që lanë nam botërisht me shfaqjen e shëmtuar”.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka akorduar ekipit Kombëtar titullin “Mirënjohja e Tiranës” me motivacionin:
“Kam nderin dhe privilegjin t’i akordoj Kombëtares Shqiptare të Futbollit titullin 'Mirënjohja e Tiranës', me motivacionin: “Përfaqësoi dhe mbrojti denjësisht simbolet kombëtare, duke na dhënë nder dhe bërë krenarë për dinjitetin dhe qytetarinë e treguar, në një situatë aspak miqësore dhe të tensionuar.”