Shpagimi i mësimdhënësve, obligim apo shpërblim?

Ilustrim©Shutterstock

Autoritetet kompetente në Kosovë kanë premtuar se me një ligj të veçantë do të shpaguhet puna e mësimdhënësve, të cilët kanë punuar në periudhën 1990-1999.

Për këtë çështje Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është në fazën përfundimtare të projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës sq Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, thotë se projektligji është në fazën përfundimtare, por që ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja e këtij ligji.

“Ne jemi në fazën përfundimtare të kostos buxhetore, jemi duke harmonizuar pjesën buxhetore më Ministrinë e Financave, si të përfundon kjo, përcillet për qeveri , e pastaj për procedurat tjera për Kuvend të Kosovës”, thekson Istogu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas projektligjit, mësimdhënësit që konsiderohen të jenë 22 mijë, do të marrin një pagë të plotë të pagës së garantuar si pension.

Edhe pronarët e shtëpive, që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla, e që llogariten të jenë 3,200 do të gëzojnë një pagë të plotë me rastin e pensionimit, ndërkaq 80 për qind të pagës minimale do të gëzojnë punëtorët teknik dhe shërbyes.

Në anën tjetër, udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, (SBASHK), thonë se janë duke bërë përpjekje maksimale që ky projektligj të arrijë deri te zbatimi.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencës dhe Kulturë, thotë se kjo kategori vazhdimisht është konsideruar si njerëz të merituar për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, dhe për këtë ai konsideron se meritojnë edhe shpagim financiar.

Megjithatë, Jasharaj, thotë se mos konstituimi i institucioneve qendrore të Kosovës ka ndikuar edhe në këtë çështje, por është optimist se pas formimit të institucioneve mjetet financiare do të gjinden dhe mësimdhënësit do të fillojnë t'i marrin mjetet që i takojnë.

“Sa i takon këtij ligjit, vetë parlamenti e ka dërguar te MASHT-i, dhe unë besoj se shteti para se të vendos që të krijojë një ligj të tillë, ka menduar se ku do t'i gjejë, dhe unë jam shumë optimist se këto mjete do të gjenden".

"Dhe me formimin e Kuvendit, ky projektligj do të kthehet në ligj, dhe mësimdhënësit e Kosovës do t’i gëzojnë këto mjete, sepse i meritojnë. Sepse në ato vite ishin vërtet shtyllë e shtetësisë dhe ashtu siç po na quajnë 'njerëz të merituar të shtetësisë se Kosovës'”, thotë Jasharaj.

Edhe punonjës në sistemin e arsimit, pohojnë se sakrifica e arsimtarëve në periudhën 1990-1999, vetëm për të mbajtur gjallë arsimin shqip, nuk mund të shpaguhet me mjetet materiale, por megjithatë e konsiderojnë si shpërblim.

Zeqir Ferizi, në atë periudhë ka punuar profesor në shkollën e mesme.

Ferizi, i cili tashmë është në pension, vendimin e konsideron të arsyeshëm si një respekt që u bëhet punëtorëve të asaj periudhe.

“Ishte më të vërtet një punë e vështirë, por ishte edhe një dëshirë dhe vullnet i madh, ishte një ndenjë që duhet të ekzistojë, që ne barazonim sikur po formojmë shtetin, që atëherë shteti ishte ëndërr e jonë. Unë mendoj se ne e kemi mbajtur shtetin, ne kemi formuar shtetësinë e Kosovës".

"Tashmë është një kënaqësi, një ndjenjë e mirë, që pas 15 vitesh, dikujt i ra ndërmend, e panë këtë realitet, e panë se shkollat shqipe, nëpër shtëpi private kanë dhënë një kontribut të madh, që duhet vlerësuar shumë”, thotë Ferizi për Radion Evropa e Lirë.

Në projektligj, thuhet se qëllimi i nxjerrjes së këtij Ligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës që nga vitet shkollore 1990-1999, përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të benificuar me përkrahje financiare përmes pensioneve dhe benificioneve të veçanta.

Për kategoritë, siçt thuhet, që ndërtuan sistemin e pavarur të arsimit shqiptar dhe organizuan mësimin në kushte të okupimit klasik të cilët me organizimin, rezistencën dhe punën e tyre ishin faktorë vendimtar për mbijetesën e shkollës shqipe, rezistencën kundër pushtetit okupues të Serbisë duke dhënë kontribut për lirinë e çlirimin e vendit.