Nxënësit, të ngarkuar me detyrat e shtëpisë

Ilustrim©Shutterstock

Nxënësit në Kosovë vlerësohet se janë të ngarkuar me detyrat e shtëpisë. Ata hasin në mjaft vështirësi si pasojë e mossqarimeve të duhura nga mësuesit dhe arsimtarët.

Kushtet e sistemit edukativ arsimor, në të cilin gjendet vendi, kanë bërë që detyrat e shtëpisë për fëmijët të jenë të pashmangshme.

Your browser doesn’t support HTML5

Detyrat e shtëpisë

Janë detyrat e shtëpisë ato të cilat mbeten ndër aktivitetet më të papëlqyera për shumë fëmijë, që vijojnë mësimin në shkollat fillore të Kosovës. Orari jo i gjatë i mësimit i detyron mësimdhënësit që një pjesë të madhe të detyrave t’ua japin nxënësve për t’i kryer në shtëpitë e tyre.

Brenda ditës përafërsisht katër deri në gjashtë orë zgjat mësimi për të gjithë fëmijët në Kosovë, të cilët ndjekin mësimet në shkollat publike.

Radio Evropa e Lirë sjell një material të zgjeruar lidhur me detyrat e shtëpisë. Për këtë do të flasin nxënës, mësimdhënës, ekspertë të arsimit e psikologë.

Ngarkesa e nxënësit

Boem Qerkini është nxënës i klasës së gjashtë, në shkollën fillore "Hasan Prishtina".

Ai vetë tregon për detyrat e shumta të shtëpisë që ai dhe nxënësit tjerë i kanë dhe kohën, të cilën ai e kalon në kryerjen e tyre.

Janë afërisht tetë detyra shtëpie në lëndë të ndryshme, të cilat janë të obliguar t’i kryejnë çdo ditë pas mësimit, kur kthehen në shtëpi.

“Ka shumë detyra, arsimtari i Fizikës na jep më shumë detyra, si matje, ndonjë eksperiment; Biologji, Edukatë qytetare dhe Gjeografi kemi fletore pune, ku aty punojmë në shtëpi. Në biologji kemi pyetje dhe kemi një fletore pa vija, në të cilat duhet të paraqesim ndonjë vizatim”, tregon ai.

Sqarimet e pakta, të cilat janë në libra, tregon Boemi, i pamundësojnë atij që të gjitha detyrat e shtëpisë t’i realizojë vetë - e, për këtë ai thotë se kërkon ndihmën e prindërve.

“Në lëndën e Biologjisë dhe Gjeografisë kam nganjëherë vështirësi dhe për atë arsye kërkoj ndihmë nga prindërit dhe atë pjesë që e kam të paqartë, e shpjegojmë me prindërit dhe për mua kjo është më e lehtë për ta përvetësuar mësimin”, shton ai.

Angazhimi i madh për detyrat e shtëpisë nuk i takon vetëm fëmijës. Janë prindërit, atyre që në rastet më të shpeshta, detyrimisht iu bie të kujdesen për nxënësin dhe performancën e tyre, duke luajtur kështu një rol mjaft të rëndësishëm në mësimnxënien e fëmijës.

Vështirësitë e prindërve

Shpresa Veseli është nënë e tre fëmijëve - njëri prej tyre është nxënës i shkollës fillore. Ajo tregon për ngarkesën e madhe të fëmijës rreth detyrave të shtëpisë, por, sipas saj, problemi më i madh nuk qëndron te detyrat e shumta, por te sqarimet që nuk i dhënë arsimtarët për nxënësit.

“Çdo prind niset nga aspekti se si e sheh fëmijën e vet. Fëmijët e mi hasin në probleme se nuk i kanë sqarimet e mjaftueshme nga arsimtarët. Janë paksa të ngarkuar me detyra të shtëpisë, por kjo nuk paraqet problem shumë të madh sa paraqesin problem sqarimet që duhet t’i bëjë arsimtari për nxënësit”, shton ajo.

“Trekëndëshi i njohur nxënës - arsimtar - prindër, duket se fare nuk ekziston në shkollat tona”, shton Shpresa. Për ta pasur më lehtë rreth detyrave të shtëpisë, sipas saj, do të duhej të ekzistonte një komunikim më i mirë.

Mësimdhënësit duhet bashkëpunuar me prindërit për identifikimin e formave për zbërthimin dhe lehtësimin e procesit të përfundimit të detyrave të shtëpisë duke përdorur, përveç librave dhe fletoreve kryesore, edhe mjete te tjera didaktike lehtësuese, edhe sipas interesave të fëmijëve.

“Me gjithë respektin për arsimtarët, por sa i përket komunikimit, është shumë i mangët, Fëmijët nuk është e mjaftueshme çka marrin nga arsimtarët, fëmijët sot kanë më shumë njohuri, kanë internetin dhe kanë libra, në të cilat mësojnë shumë gjëra. Por, jo të gjithë arsimtarët janë të përgatitur mirë, derisa kur kemi të bëjmë rreth komunikimit arsimtar- nxënës, kjo nuk ekziston pothuajse fare”, thekson Shpresa.

Plan-programi i stërngarkuar

Për plan-programin e stërngarkuar dhe për vështirësitë, të cilat mund t'iu paraqiten nxënësve tregon edhe Nysrete Shkodra, mësuese.

“Detyrat e shtëpisë kanë efektin e vet, mirëpo duke marrë parasysh plan-programin, i cili është i stërngarkuar, është shumë i vështirë për fëmijët nëse ato detyra nuk sqarohen shumë mirë me dy apo tre shembuj nga mësuesja në klasë, e pastaj edhe për në shtëpi. Ka ngjashmëri rreth detyrave të klasës dhe shtëpisë, vetëm numrat ndryshojnë, por nëse nxënësi nuk ka arritur ta kuptojë apo nëse mësuesja nuk ka arritur të thjeshtësojë, atëherë ai fëmijë do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë në shtëpi atë detyrë”, tregon Shkodra.

Ajo kërkon nga të gjithë mësuesit dhe arsimtarët që t’i bëjnë fëmijët që ta duan shkollën, t’i bëjnë me kënaqësi detyrat e shtëpisë dhe jo t’i urrejnë ato.

“Ne kemi mësues tepër, pedagogë kemi pak. Një mësuese e mirë, një mësuese e qetë, një mësuese e dashur, ia sqaron nxënësit brenda klasës të gjitha detyrat dhe pak i mbetet fëmijës që të kërkojë ndihmën e prindit në shtëpi rreth detyrave”, shton ajo.

Detyrat e shtëpisë, të pashmangshme

Për kushtet e sistemit edukativ arsimor, në të cilin gjendet Kosova, detyrat e shtëpisë janë të pashmangshme, vlerëson eksperti i arsimit Dukagjin Popovci. Megjithatë, edhe ai kërkon që për këtë të kujdesen mësimdhënësit.

“Nxënësit në Kosovë nuk kalojnë kohë të mjaftueshme në shkollë, prandaj në një situatë të tillë, ata nuk mund t’i përvetësojnë të gjitha njohuritë dhe të gjitha shkathtësitë që duhet t’i përvetësojnë gjatë orarit të mësimit. Dhe, kjo është arsyeja që pse në shkollat tona ekziston shprehia e dhënies së detyrave të shtëpisë, dhe pse shumë herë sasia e detyrave dhe karakteri i tyre kërkon një angazhim shumë të madh të nxënësve në shtëpi”, vlerëson Popovci.

Duke pasur parasysh se nxënësit e ciklit të ulët nuk qëndrojnë gjatë në shkolla, Popovci thotë se prindërit, detyrat e shtëpisë duhet t’i marrin si gjë normale dhe jo me atë shkallë të stresit, me të cilën e trajtojnë shumë prindër.

“Ajo sa punohet në shkolla nuk mjafton që nxënësi ta përvetësojë si duhet planin dhe programin mësimor, prandaj edhe paraqitet nevoja për një punë shtesë në shtëpi”, shton Popovci.

Popovci hedh kritika edhe te mësimdhënësit, të cilët qëndrojnë një kohë relativisht të kufizuar në shkollë, afërsisht gjysmë orari të një punonjësi të zakonshëm, dhe se deri më tani nuk është arritur që t’u thuhet mësimdhënësve që të qëndrojnë më gjatë në shkollë në mënyrë që fëmijët e atyre shkollave ku punohet në një ndërrim, t’iu ndihmohet rreth detyrave të shtëpisë.

“Në disa zona, siç janë zonat rurale, do të ishte ndoshta e përshtatshme që nxënësit të kalojnë pak më tepër kohë në shkollë, por mund të organizohen në shkolla edhe klube për detyrat e shtëpisë, ku nxënësit, nën mbikëqyrje të mësimdhënësve, mund të qëndrojnë dhe t'i bëjnë detyrat e shtëpisë".

"Kjo dukuri nuk është shumë e përhapur, pasi që kërkon investime shtesë, kërkon obligime shtesë për mësimdhënësit dhe një gjë të tillë si duket i shmangen edhe strukturat qeverisëse, po i shmangen gjithashtu edhe shkollat”, thekson Popovci.

Metodat lehtësuese

Psikologët, në anën tjetër, japin këshilla dhe metoda se si t'iu bëhen më të lehta nxënësve detyrat e shtëpisë.

Zamira Hyseni - Duraku, psikologe, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike dhënë Radios Evropa e Lirë, thekson se sistemit të edukimit fillor në Kosovë ende i mungon qasja pedagogjike adekuate, përmes së cilës stimulohet të nxënit te fëmijët, qoftë në ambientin e shkollës, qoftë në shtëpi.

Sipas saj, mungojnë format kreative të vlerësimit dhe të mësimdhënies, nëpërmjet së cilave fëmijët i pranojnë më lehtë detyrat e tyre shkollore, rrisin interesimin për të nxënë dhe mbahen të motivuar që të pajisen me njohuri të reja.

Psikologja Zamira Hyseni - Duraku flet edhe për mënyrat që do t’iu lehtësonte fëmijëve detyrat e shtëpisë.

Fillimisht, shton ajo, është me rëndësi që mësimdhënësit t'i shpjegojnë në mënyrë sa më të drejtë detyrat e shtëpisë. Ata duhet siguruar se në komunikim me fëmijët po përdoret qasje e drejtë komunikimi, dhe se secili nga fëmijët i ka kuptuar përgjegjësitë siç duhet.

Fëmijët nuk duhet frikësuar se do të ndëshkohen në rast se nuk i përfundojnë drejt obligimet e shtëpisë. Mësimdhënësit inkurajohen të përdorin forma stimulimi për nxënësit, të cilët i përfundojnë me sukses detyrat, por jo duke i krahasuar detyrat ndërmjet nxënësve të mirë dhe atyre të dobët.

“Në mënyrë që procesi i të nxënit dhe kryerja e obligimeve të shkollës nga fëmijët të jetë më i lehtë, prindërit sugjerohen që në hapat e parë të zhvillimit të fëmijës, fëmijën ta mësojnë me orar. Në këtë mënyrë, një obligim i ri, siç është përfundimi i detyrave të shtëpisë kur ata fillojnë shkollën, do të jetë më lehtë i integrueshëm në agjendën ditore të fëmijëve. Në të kundërtën, fëmija do të refuzojë ndryshimin e ritmit të tij ditor, duke zgjedhur aktivitetet, të cilat janë më të favorshme dhe argëtuese për të”, sqaron Hyseni.