Termokosi me ngrohje stabile nga 15 nëntori

Kosova A, Obiliq

Zyrtarë të ngrohtores së qytetit, “Termokosit", thonë se janë në përfundim të projektit të ri të ngrohjes me avull që pritet të vijë nga termocentrali Kosova B.

Ngrohtorja e qytetit në këtë vit do të sigurojë ngrohje stabile për të gjithë konsumatorët e saj, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Termokosit.

Drejtori i ndërmarrjes publike “Termokos”, Arsim Janova tregon se ky furnizim i mirë do të arrihet falë projektit të kogjenerimit të Termokosit i cili është në prag të finalizimit.

“Kah mesi i nëntorit startojmë me nxehje nga Obiliqi që do të ishte një zgjidhje shumë e mirë dhe një projekt kapital. Problemin ndoshta mund ta kemi nga 15 tetori deri në 15 nëntor, pasi që të gjitha kapacitetet tona financiare i kemi drejtuar në startimin me ngrohje nga termocentrali Kosova B”, bën të ditur Janova.

Ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve nga ndërmarrja publike “Termokos”, ka filluar para dy vjetëve.

Pas përfundimit të projektit, Termokosi do të heqë dorë nga përdorimi i mazutit për ngrohtoret, që do të rezultojë në një qasje më të mirë ndaj mjedisit.

Një problem që e thekson Janova, ka të bëjë me borxhet e konsumatorëve ndaj ndërmarrjes. Qyterarët kanë mbi 18 milionë borxh ndaj kësaj kompanie.

“Sa i përket borxheve, në vazhdimësi i kemi zbatuar të gjitha masat ligjore, kemi bërë edhe padi për konsumatorët borxhlinjë, kemi bërë edhe shkyçje kolektive nga rrjeti, mirëpo nuk ka pasur efekt të madh. Me shartimin me ngrohje nga Obiliqi ne do t’i ashpërsojmë këto masa dhe do të bëjmë shkyçje edhe individuale”, shton ai.

Sidoqoftë, reduktimet e ashpra me energji elektrike të cilat janë paralajmëruar se do të jenë gjatë muajve të dimrit, thuhet se mund të shkaktojnë telashe për ngrohtoren e qytetit.

Problemet me furnizim të rregullt me energji elektrike, vijnë si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A” në muajin qershor të këtij viti.

Pas këtij incidenti, në termocentralin “Kosova A” dy njësi nuk do të arrijnë të fillojnë operimin deri në muajin dhjetor të 2014-s.

Ndërkaq qytetarët thonë se në vitet paraprake edhe pse kanë qenë parapagues të rregullt të Termokosit, kjo kompani nuk i ka furnizuar ata me ngrohje të rregullt as atëherë kur temperaturat kanë qenë në minus gradë celsius.

Anita Sadiku qytetare nga Prishtina, nuk beson se do të ketë përmirësime.

“E kanë bërë shumë të madhe se do të ketë ngrohje, por nuk po besoj, pasi që çdo herë thuhet kështu por ndodh e kundërta, nëse do të kemi është shumë mirë”, shton ajo.

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, thuhet se janë pengesë për procesin e prodhimit, të arsimit dhe për sektorin e shëndetësisë.

Që nga paslufta në Korporatën Energjetike të Kosovës janë bërë investime të mëdha, që megjithatë nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes energjetike.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, shihet si një mundësi e mirë për furnizim të rregullt me energji elektrike për Kosovën. Vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali ishte marrë në vitin 2005, ndërkohë që deri më tani ende nuk ka filluar ndërtimi i tij.