Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i njohur për armiqësitë e tij ndaj rrjeteve sociale dhe teknologjisë mobile, është përpjekur të minimizojë namin që ka shkaktuar iPhone 6, duke thënë se smartfoni i ri i kompanisë Apple është i ngjashëm me verzionin paraprak.
“Kjo markë sjell model të ri gati çdo vit. Por, në fakt, iPhone 6 nuk dallon vërtet nga verzioni i vitit të kaluar. Nuk është telefoni që po shitet, por marka e tij”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv në Stamboll.
Erdogan, në të kaluarën, ka qenë tejet armiqësor ndaj teknologjive të reja. Ai veçanërisht nuk i do mediat sociale, edhe pse shumë ministra të lartë të qeverisë janë përdorues entuziastë të Twitter-it.
Twitter dhe YouTube kanë qenë përkohësisht të ndaluara këtë vit në Turqi, pasi të dyja ueb-faqet janë përdorur nga kundërshtarët e Erdoganit për të postuar akuzat për korrupsion kundër rrethit të tij të brendshëm.
Në muajin gusht, Erdogan ka thënë se mediat sociale janë “thikë në duart e vrasësit”.
Apple, një nga koorporatat më të njohura të Shteteve të Bashkuara, ka nxjerrë iPhone 6-ën këtë muaj, duke shitur mbi 10 milionë sish në tre ditët e para.