Falimentim për shkak të reduktimeve të energjisë

Fabrikë në Kosovë

Çështja e furnizimit të rregullt me energji elektrike që nga kompanitë vendore ishte vlerësuar si i tejkaluar, është rikthyer muajve të fundit, derisa gjatë muajve të dimrit gjendja do të ashpërsohet edhe më shumë.

Paralajmërimet që janë bërë nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), për ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta, kur konsumi rritet, ka ngritur shqetësim te bizneset.

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga kompanitë kosovare e cila pritet të ballafaqohet me probleme të mëdha për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.

Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se reduktimet e energjisë elektrike do të reflektojnë me humbje të mëdha në biznesin e tij.

“Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë katastrofë për ne, do të jetë humbje. Nëse, vërtet, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, do të jetë ndoshta edhe fundi i biznesit tonë”, thotë Kosumi.

Problemet me furnizim të rregullt me energji elektrike janë si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A”, në muajin qershor të këtij viti.

Pas këtij aksidenti, në termocentralin “Kosova A”, një njësi (A3) tashmë është aktivizuar dhe është duke prodhuar, ndërsa në dy njësitë tjera aktive të termocentralit “Kosova A” ( A4 dhe A5) janë jashtë funksionit, ku është duke u bërë riparimi kapital i tyre.

Këto dy njësi nuk do të arrihet të fillojnë operimin deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Bizneset, duke parë në vazhdimësi jostabilitetin me energji elektrike në Kosovë, kishin investuar mjaft shumë në blerjen e gjeneratorëve.

Pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, tregon se kanë investuar mjaft shumë në biznesin e tyre. Për shkak të reduktimet të shpeshta të energjisë elektrike, ata janë të pajisur edhe me gjenerator 400 kilovat, por gjeneratorët, siç thotë ai, nuk e zëvendësojnë energjinë dhe, po ashtu, kanë kosto të lartë.

“Asnjë pajisje bashkëkohore që ne e kemi montuar, nuk punon me gjenerator, as nuk guxon të startosh me to, e sa për kosto dihet më sa është kostoja nëse shfrytëzon gjeneratorin”, shprehet Kosumi.

Pasiguria në furnizimin me energji do të jetë një problem mjaft i madh edhe për ndërmarrjen “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, shprehet:

“Pengesë kronike, e cila po e përcjell biznesin tonë po gjithë Kosovën apo shumicën e kompanive, është problemi me energji elektrike. Ky problem gjatë muajve të fundit është rritur dhe kjo natyrisht se do ta rrisë koston e produkteve tona finale”.

Aktualisht, janë duke u prodhuar 400 megavat energji elektrike, importi është 200 deri në 300 megavat energji elektrike. Derisa, konsumi është 700 deri në 800 megavat, por që gjatë ditëve apo muajve të ftohtë, konsumi i energjisë elektrike rritet.