Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar sot në Nju Jork sekretarin për marrëdhënie me jashtë të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.
Presidentja Jahjaga ka vlerësuar lart vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri dhe porositë e tij për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.
Jahjaga po ashtu ka thënë se Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe të stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë.
Ajo ka kujtuar se Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës dhe ka thënë se pranimi nga Vatikani do të kishte një rëndësi të veçantë.
Në anën tjetër, sekretari për marrëdhënie me jashtë i Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, ka thënë se Selia e Shenjtë po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në raportet në rajonin e Ballkanit.