Partitë politike kanë para vetes shumë opsione për të dalë nga kriza rreth formimit të institucioneve, por nuk po i shfrytëzojnë ato, thonë analistët politikë. Sipas tyre, insistimi i Partisë Demokratike të Kosovës se si parti fituese e zgjedhjeve do t'i formojë institucionet, është i parealizueshëm, pasi që nuk ka vota në Kuvend.
E, po ashtu, edhe insistimi i koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje se do t'i formojnë institucionet, ngase e kanë shumicën parlamentare, nuk do të mund të realizohet, pasi që ka disa pengesa në procedurat kushtetuese.
Analisti Shpend Kursani mendon se vetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për postin e kryetarit të Kuvendit e ka futur në një rrugë pa zgjidhje këtë proces.
Sipas tij, tani ka dy opsione të mundshme për tejkalimin e krizës, qoftë përmes zgjedhjeve të parakohshme apo krijimit të një qeverie me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
"Opsioni i parë është që deputetët e të gjitha partive politike të merren vesh që të shkohet në zgjedhje të reja, edhe pse nuk do të duhej të shkohej në zgjedhje, por të gjendet një zgjidhje tjetër. Por, mendoj se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pamundur një gjë të tillë”.
“Kurse, opsioni i dytë është i padrejtë, që nuk do të duhej preferuar, e që është intervenimi i misioneve diplomatike në përçarjen e pozicioneve të dyja palëve dhe krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse që nuk do të ishte i mirë", thotë Kursani për Radion Evropa e Lirë.
Opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, nuk e përjashton si zgjidhje as analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi.
Në prononcimin për Radion Evropa e Lirë ai thotë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e parasheh qartë që propozimin për kryetar të Kuvendit duhet ta bëjë Partia Demokratike, si grupi më i madh parlamentar.
"Opsioni më i arsyeshëm do të ishte që të votohet kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit. Edhe ashtu do të ishte mirë për Kosovën që ta ketë një opozitë që do ta kishte kryetarin e Kuvendit karshi një qeverie me dy të tretat e votave, që është e rrezikshme, sepse çdo qeveri që i ka dy të tretat, mund të ketë tendencë të keqpërdorë pushtetin. Kështu që një PDK në opozitë me kryetar të Kuvendit, për Kosovën nuk do të ishte e dëmshme dhe do të mund të bënte një mbikëqyrje më të mirë të punës së qeverisë", ka theksuar Krasniqi.
Në këtë rast, sipas Albert Krasniqit, koalicioni i gjerë pas zgjedhor mund të ridefinojë marrëveshjen dhe postin e kryeministrit t'ia transferojë LDK-së. Në të kundërtën, edhe Krasniqi nuk sheh shumë opsione përveç nisjes së procedurave për zgjedhjet e parakohshme.
"Në këtë situatë, asnjë prej palëve, si e vetme nuk mund të bëjë zgjidhje. Po të mund ta bënin, deri më tani do ta kishin bërë. Sa u takon zgjedhjeve, mendoj se kjo mund të bëhet, por së pari duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, ngase nuk mund të shpërndahet Kuvendi që nuk është konstituuar ende. Kështu që mundet të votohet një kandidat konsensual, qoftë edhe nga pakicat, dhe më pas me dy të tretat e votave të shpërndahet Kuvendi dhe të hapet mundësia për zgjedhje të reja të parakohshme", vlerëson Krasniqi.
Përderisa në Prishtinë flitet për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për tejkalimin e ngërçit politik, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar e ka përjashtuar si mundësi ndërhyrjen.
"Intervenimi ynë i vetëm është rekomandimi për institucionet e Kosovës që të gjejnë zgjidhjen", ka theksuar Zbogar. Ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë bërë thirrje që zgjidhja të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe që në Kosovë të ndërtohet një qeveri kredibile.
Lidhur me pozicionin ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës, analisti Shpend Kursani mendon se aktivizimi i ndërkombëtarëve do të mund të prodhonte një qeveri teknike apo edhe një qeveri gjithëpërfshirëse.
"Në qoftë se krijohet një qeveri teknike, atëherë ajo do të ishte afatshkurtër dhe si e tillë do të ishte shumë e dobët. Ndërkaq, një qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte stabile, por jo e mirë. Po e them jo e mirë, sepse në këtë rast do të dëmtohej opozita në Kuvend", vlerëson Kursani.
Formimi i institucioneve të reja të Kosovës ka ngecur në postin e kryetarit të Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryetarit, Kuvendi konsiderohet si jo i konstituuar, andaj edhe nuk po mund të procedohet tutje me formimin e qeverisë së Kosovës.